Kurti: Kosova do të vazhdojë të kërkojë drejtësi për vëllezërit Bytyqi deri në fund

Kurti: Kosova do të vazhdojë të kërkojë drejtësi për vëllezërit Bytyqi deri në fund

Aktuale July 10, 2026 - 09:51

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka organizuar mbrëmjen e së enjtes një tubim përkujtimor në ballkonin e Kryeministrisë, në 27-vjetorin e vrasjes së vëllezërve Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi.

Në fjalën e tij, Kurti kujtoi arrestimin, dënimin me burg, vrasjen dhe fshehjen e trupave të tre vëllezërve në varrezën masive në Petrovo Sello të Serbisë, duke e cilësuar këtë krim si vepër të aparatit shtetëror gjenocidal serb.

“Vëllezërit Bytyqi ishin luftëtarë të lirisë, ishin luftëtarë për drejtësi, që e kuptonin lirinë si përgjegjësi për tjetrin, që e kuptonin se drejtësia nënkupton tjetrin dhe ishin luftëtarë për dinjitetin njerëzor e të pandashëm nga njëri-tjetri e nga të tjerët”, tha Kurti.

Ai theksoi se historia e tyre është histori e atdhedashurisë, duke kujtuar se, ndonëse kishin lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ata vendosën të vinin në Kosovë gjatë luftës dhe t’i bashkoheshin njësitit vullnetar “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Iu bashkuan njësitit të vullnetarëve ‘Atlantiku’ të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u vunë në shërbim të lirisë së popullit që po përballej me dhunë, vrasje, masakra, zhdukje kufomash dhe krime tjera të rënda kundër njerëzimit”, u shpreh ai.

Kurti tha se kujtimi i Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqit është pjesë e kujtesës shtetërore dhe kombëtare të Kosovës.

Në këtë përvjetor, ai riafirmoi përkushtimin e institucioneve për të kërkuar drejtësi për vrasjen e tyre.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në këto ditë kur shënojmë 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, riafirmojmë edhe zotimin tonë se do të vazhdojmë të kërkojmë të vërtetën, përgjegjësinë dhe drejtësinë, e cila do t’i ndëshkojë edhe urdhërdhënësit, por edhe ekzekutorët e këtij krimi mizor. Ashtu siç e ruajmë nderimin me lavdi për luftëtarët e lirisë Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqin, do të vazhdojmë të angazhohemi për të arritur drejtësi për ta, deri në fund”, deklaroi Kurti. /Zëri