Ferizajasit kërkojnë heqjen e emrit “Urosevac” nga dokumentet zyrtare: Është emër i pushtuesit

Ferizajasit kërkojnë heqjen e emrit “Urosevac” nga dokumentet zyrtare: Është emër i pushtuesit

Aktuale July 09, 2026 - 21:12

Ferizajasit po kërkojnë që emri në gjuhën serbe “Urosevac”, të mos figurojë më në dokumente zyrtare. Për këtë, Bashkim Fazliu planifikon  një peticion në të cilin kërkohen nënshkrimet e qytetarëve.

Kjo po mirëpritet nga vetë qytetarët, por edhe deputetë të nivelit qendror që thonë se do t’a votojnë në Kuvendin e Kosovës një nismë të tillë.

Në çdo hyrje të qytetit, është e vendosur një tabelë e tillë informuese.

Për udhëtarët që hyjnë në Ferizaj, bashkë me të është i shkruar emri edhe në gjuhën serbe “Urosevac”.

Megjithatë, kjo po kërkohet që të largohet përfundimisht nga të gjitha dokumentet dhe të mbetet vetëm emri shqip.

Bashkim Fazliu, inicues i peticionit që nis më 18 korrik, tregon se qëllimi i tyre është që të mos figurojë më një emër i tillë.

“Nuk ka asnjë lidhje me Ferizaj, është një relikt i pushtuesit serb ku dihet historikisht ka edhe shkrime, vet burimet serbe e pranojnë që edhe ky emër iu ka vu Ferizajt tek pas pushtimit se Ferizaji është pushtuar në tetor 1912-ës ndërsa kemi edhe libra tjerë ku kanë shkruar t’a zëmë Dr. Shaban Hashani ku e dëshmon nga burime serbe se më 16 janar 1914 është marrë një vendim i Mbretërisë Serbe për me quajt, me ia vnu emrin ‘Urosevac’”, tha Bashkim Fazliu – inicues i projektit.

Kjo nismë e tij, ka gjetur përkrahjen e plotë nga niveli lokal, partitë politike, e deri te komunitetet joshumicë që janë në këtë qytet.

“Besoj shumë se do t’i kemi votat e të gjithë deputetëve shqiptarë, sidomos deputetëve shqiptarë dhe komuniteteve jo serbe ku janë diku 110 deputetë. E përsëris, kjo nuk i drejtohet kundrejt asnjë… nuk ka lidhje kjo me gjuhë serbisht, Ferizaj do të jetë shqip do të jetë serbisht dhe anglisht, në çdo gjuhë”, u shpreh Fazliu.

Iniciativën po e mirëpresin edhe vet ferizajasit, që thonë se do t’a nënshkruajnë posa të jetësohet.

“Kjo iniciativë na ka pëlqyer shumë, unë e përkrahi e mbështes në mënyrën çfarë kërkohet dhe mendohet se do t’a përkrahi. Momentin e parë që fillon peticioni në mënyrë ceremoniale siç kam dëgjuar ashtu, do të jem aty në mesin e atyre që do ta nënshkruajnë”, shprehet Bedri Pajaziti – banor.

Pas nënshkrimit të peticionit, i njëjti pritet të dërgohet për votim në Kuvendin e Kosovës.

Përkrahje për këtë, thotë se do të japë, deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Rufki Suma i cili kishte ngritur në muajin prill këtë çështje.

“Kam kërkuar që edhe këto Komuna të ndërmarrin iniciativat e tyre, të formohet një komision parlamentar që të trajtojë gjithë këto emra në mënyrë që të hiqen përgjithmonë emrat që kanë kuptime të ndryshme dhe sidomos emrat që kanë përmbajtje jo të mirë me motive të kriminelëve siç ka qenë rasti i Jankoviq ose Urosevac etj… Unë besoj se çdo propozim, çdo iniciativë që ka karakter kombëtar përkrahet nga partitë politike, besoj që edhe ky propozim i Ferizajt që do të vjen nga Komuna e Ferizajt do të përkrahet nga të gjithë deputetët”, thotë Rufki Suma deputet i zgjedhur i LVV-së

Ky emër ishte vendosur dhe imponuar qytetit të Ferizajt pas pushtimit nga Serbia pas vitit 1912, që nënkupton emrin e një pushtuesi.