Haxhiu: ITP në Prizren është motor i zhvillimit ekonomik dhe inovacionit në Kosovë
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka vizituar të enjten Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) në Prizren, të cilin e ka cilësuar si një qendër kyçe të inovacionit, teknologjisë dhe ndërmarrësisë në Kosovë.
Haxhiu ka thënë se ITP ka transformuar një hapësirë prej 40 hektarësh në një ekosistem që lidh biznesin, institucionet dhe akademinë, duke krijuar mundësi për zhvillim ekonomik, inovacion dhe punësim.
Sipas saj, me 50 ndërtesa, 65 biznese aktive dhe rreth 1 mijë studentë, profesionistë e vizitorë çdo ditë, ITP është shndërruar në një motor të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik të vendit.
“Brenda kësaj hapësire vepron edhe Makerspace Innovation Center Prizren (MICP), që kontribuon në zhvillimin e aftësive profesionale, mbështetjen e sipërmarrjes dhe inovacionit përmes trajnimeve, programeve të aftësimit dhe infrastrukturës moderne për teknologji dhe prodhim”, ka theksuar ajo në Facebook.
Haxhiu ka vlerësuar se sukseset e ITP-së dhe MICP-së dëshmojnë potencialin që ka Kosova për të ndërtuar një ekonomi të bazuar në dije, teknologji dhe ndërmarrësi.