Agon Bytyqi mbetet edhe për pesë vjet të tjera në postin e zëvendësdrejtorit të AKI-së
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ka nënshkruar vendimin për vazhdimin e mandatit të Agon Bytyqit si zëvendësdrejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Sipas njoftimit të Haxhiut, Bytyqi do të vazhdojë të ushtrojë këtë detyrë edhe për një mandat pesëvjeçar.
Ajo ka theksuar se përvoja e tij, njohja e institucionit dhe përgjegjësia e dëshmuar gjatë mandatit të parë janë vlerësuar si të rëndësishme për vazhdimësinë dhe punën profesionale të AKI-së në mbrojtje të sigurisë së vendit.
Haxhiu ka bërë të ditur se Bytyqi është falënderuar për punën e deritanishme, ndërsa i janë uruar suksese në mandatin e ri.
Agjencia e Kosovës për Inteligjencë është institucioni përgjegjës për mbledhjen dhe analizimin e informacionit me rëndësi për sigurinë e vendit.