Bahtiri: Fermerët po manipulohen, kompania e mbylli vetë punën dhe jo AUV-i
Deputeti i rizgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, Agim Bahtiri, ka reaguar pas protestës së fermerëve para Ministrisë së Bujqësisë, duke shprehur shqetësim për situatën dhe duke akuzuar kompaninë “Vita” për manipulim të fermerëve.
Sipas Bahtirit, është e pakuptimtë që një kompani të pezullojë vetë aktivitetin e saj vetëm për shkak të një inspektimi rutinor për marrjen e mostrave, pa pasur ende një raport apo vendim zyrtar nga institucionet për mbylljen e saj.
Ai thekson se Inspektorati ka të drejtë ligjore të kontrollojë çdo biznes dhe se një inspektim nuk nënkupton domosdoshmërisht mbylljen e aktivitetit. Bahtiri ngre dyshime se vendimi i kompanisë për të ndërprerë punën mund të jetë bërë për të përdorur fermerët si mjet presioni dhe propagande.
Në reagimin e tij, Bahtiri thekson se mbrojtja e shëndetit të qytetarëve duhet të jetë prioritet absolut i institucioneve të Kosovës. Ai shprehet se çdo biznes që, sipas pretendimeve të tij, zëvendëson qumështin natyral me qumësht pluhur, vaj palme apo përbërës të tjerë të dëmshëm, dëmton konsumatorët dhe fermerët.
Më tej, ai pretendon se kompani të caktuara, të cilat sipas tij kanë përfituar për vite me radhë në dëm të shtetit, po përpiqen të përdorin fermerët për të mbrojtur interesat e tyre.
Në fund të reagimit, Bahtiri u bën thirrje fermerëve të mos bien pre e manipulimeve dhe i siguron se Ministria e Bujqësisë do të vazhdojë të marrë vendime në favor të tyre. Ai apelon që të mos lejohet, sipas tij, që propaganda të mbizotërojë mbi të vërtetën.