“Katër ditë pa dorëzuar qumështin”, fermerët kërkojnë ndalimin e importit të qumështit nga vendet e rajonit
“Mos na leni pa bukë”, “Mos prekni vendet e punës”, “Mos e dobësoni industrinë vendore”, e me pankarta të tjera fermerët e prodhimit të qumështit kanë protestuar para Ministrisë së Bujqësisë, duke kërkuar që urgjentisht të fillojë grumbullimi i qumështit, pasi tash e katër ditë është ndaluar përkohësisht grumbullimi i qumështit, duke paraprirë mbylljen e përkohshme të qumështores “Vita”.
Përfaqësuesi i Shoqatës së Qumështarëve Fidan Krasniqi, ka thënë se ka që një vit janë duke trokitur nëpër dyer të Ministrisë lidhur me situatën e krijuar, duke kërkuar që të merren masa.
“Jemi mbledhur para Ministrisë së Bujqësisë ne si shoqatë e prodhuesve të qumështit në përkrahje të fermerëve tonë, anëtarësisë sonë, pikave grumbulluese, të gjithë akterëve, grupeve të interesit sepse ne jemi prodhues të këtij vendi dhe prodhojmë qumështin, për këtë vend, për këtë popullatë. Tash e një vit trokasim nëpër dyert e shtetit duke njoftuar ministritë përkatëse lidhur me gjendjen e krijuar në këtë sektor dhe duke kërkuar të mirren masa që garantojnë investime dhe siguri të produkteve tona që të kemi konkurrencë të barabartë dhe jo importe me çmime të subvencionuara nga Serbia, Bosnja, Maqedonia e Veriut dhe i gjithë regjioni. Të gjithë ju jeni dëshmitarë të këtyre produkteve dhe na akuzoni neve pse ato produkte shiten nëpër raftet tona me çmime shumë të lira”, ka thënë përfaqësuesi i Shoqatës së Qumështarëve.
Ai ka shtuar se sot janë bërë katër ditë që nuk e kanë dorëzuar qumështin.
“Andaj kërkojmë urgjentisht për shkak se prodhuesi vendor është në një situatë të palakmueshme sot bëhen katër ditë që ne nuk kemi ku ta dorëzojmë qumështin. Shumica e këtyre prodhuesve kanë qenë fermerë që e kanë dorëzuar qumështin të qumështorja ‘Vita’, është e vërtetë. Por, një gjë duhet ta dijë populli qumështi ‘Vita’ është i Kosovës, nuk është i Serbisë”, ka shtuar ai.
“Kërkesa jonë urgjente të fillojë grumbullimi i qumështit që nga ky moment, kërkojmë nga Qeveria urgjentisht të ndal importin nga vendet e rajonit me çmime damping, pse favorizohen importuesit e jo prodhuesit deri kur do të vazhdojë kjo praktikë, të bëjmë politika e ta zgjidhim këtë çështje njëherë e mirë”, ka thënë ndër të tjera ai.
“Lopët nuk janë çezme. Nuk mund t’i ndalim sot të mos prodhojnë, e të presim deri në momentin e duhur. Shumica e këtyre fermerëve, që i shihni me këto mjete bujqësore, janë të zhytur në kredi të cilat duhet t’i paguajnë. Të mos luhet me dinjitetin e tyre. Kërkojmë urgjentisht takim dhe zgjidhje të këtij problemi një herë e përgjithmonë, pse jo t’ia shtrijmë dorën këtij ministri, atij ministri apo atij ministri”, tha ai. /EO