Këshilltari i Trumpit për çështje fetare viziton Patriarkanën e Pejës dhe Manastirin e Deçanit

Këshilltari i Trumpit për çështje fetare viziton Patriarkanën e Pejës dhe Manastirin e Deçanit

Aktuale July 06, 2026 - 14:05

Këshilltari joformal për çështje fetare i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pastori Mark Burns, po qëndron për vizitë në Manastirin e Deçanit - manastir mesjetar i Kishës Ortodokse serbe në Kosovë.

Sipas njoftimit të Kishës Ortodokse serbe, igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, e njohu Burnsin me “historinë e pasur të kësaj faltoreje, e cila ndodhet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s”.

Burnsi mbërriti në Kosovë më 5 korrik, ku, në shoqërinë e patriarkut serb Porfirije, vizitoi edhe Patriarkanën e Pejës.

“Nuk kam ardhur për të thelluar ndarjet. Kam ardhur të dëgjoj, të lutem dhe të mbështes paqen, pajtimin dhe shërimin në mbarë Kosovën dhe Ballkanin. Zoti e mbroftë çdo familje, çdo kishë, çdo manastir dhe çdo komunitet që përpiqet të jetojë në paqe”, shkroi Burnsi në rrjetin social X.

Përndryshe, liritë fetare përmenden edhe në Marrëveshjen për Normalizimin Ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit, e cila është nënshkruar në shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit Trump.

Në marrëveshje thuhet, mes tjerash, se “të dyja palët angazhohen të respektojnë liritë fetare, përfshirë rivendosjen e dialogut ndërfetar, mbrojtjen e objekteve fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore që mbrojnë Kishën Ortodokse Serbe”.

Edhe në vitin 2023, Kosova dhe Serbia ranë dakord për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, ku përmendet edhe formalizimi i statusit të Kishës Ortodokse serbe.

Në atë aneks thuhet se “Kosova duhet të sigurojë një nivel shtesë mbrojtjeje për objektet dhe trashëgiminë e Kishës Ortodokse serbe në Kosovë”.

Ndonëse Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit nuk është nënshkruar, Bashkimi Evropian, i cili ndërmjetëson dialogun Kosovë-Serbi, ka deklaruar se ajo është juridikisht detyruese për të dyja palët.

Në gusht të vitit të kaluar u publikuan disa pretendime se Kisha Ortodokse Serbe ishte në negociata me institucionet e Kosovës për një “marrëveshje themelore”, por Dioqeza Rashkë-Prizren i mohoi ato raportime.

Para vizitës në Kosovë, më 4 korrik, pastori Burns ishte në Bratunac, në entitetin e Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë, në shënimin e 34-vjetorit të vrasjes së disa serbëve në rajonin e Podrinjes së Mesme dhe Birit.

Një ditë më herët, ai zhvilloi edhe një takim në Patriarkanën në Beograd me patriarkun serb Porfirije. /Rel