LVV-ja në Prishtinë kërkon tërheqjen e vendimit për shtrenjtimin e biletave të autobusëve
Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka reaguar për rritjen e çmimit të biletës së transportit urban, duke e quajtur dëshmi se qeverisja e PDK-së dhe LDK-së në kryeqytet ka zgjedhur t’ua kalojë qytetarëve koston e dështimeve të veta.
Ky subjekt politik ka kërkuar nga ekzekutivi në kryeqytet ta tërheqë vendimin.
Në reagim thuhet po ashtu se PDK-ja dhe LDK-ja në fushatën zgjedhore kërkuan besimin e qytetarëve, duke premtuar zgjidhje për trafikun dhe transportin publik, ndërkohë përveçqë qytetarët nuk marrin transport falas siç kishte premtuar Uran Ismaili, po e paguajnë biletën edhe më shtrenjtë.
“Kjo tregon se për PDK-në dhe LDK-në premtimet zgjasin vetëm deri në ditën e zgjedhjeve. Pas zgjedhjeve, qytetarët përballen me tarifa më të larta, ndërsa Kryeqyteti vazhdon të ketë të njëjtat probleme: mungesë autobusësh, shërbim të pamjaftueshëm, pritje të gjata dhe mungesë vizioni për zhvillimin e transportit publik”, thuhet mes të tjerash në reagim.
Sipas Vetëvendosjes në Prishtinë, ky vendim është marrë pa asnjë analizë të qartë ose logjikë ekonomike.
“Prishtina nuk ka nevojë për bileta më të shtrenjta. Ka nevojë për më shumë autobusë, transport publik më efikas, shërbime më cilësore dhe një vizion të qartë për mobilitetin urban. Mbi të gjitha, ka nevojë për një qeverisje që i mban premtimet që u jep qytetarëve”, thuhet tutje.