Gërvalla nga Skenderaj: Reforma në drejtësi është e paalternativë, pandëshkueshmëria nuk është opsion

Gërvalla nga Skenderaj: Reforma në drejtësi është e paalternativë, pandëshkueshmëria nuk është opsion

Aktuale July 01, 2026 - 16:40

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka vizituar të mërkurën Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Dega në Skenderaj, ku është pritur nga ushtruesi i detyrës së gjyqtarit mbikëqyrës, Valon Hajdini, si dhe nga gjyqtarë e përfaqësues të stafit administrativ.

Sipas Gërvallës, gjatë takimit është diskutuar për performancën e degës, ngarkesën me lëndë, efikasitetin në trajtimin e tyre, sfidat me të cilat përballet institucioni dhe masat që janë ndërmarrë për të ulur numrin e lëndëve të pazgjidhura.

Ministrja theksoi se reformat në sistemin e drejtësisë janë të domosdoshme për forcimin e shtetit dhe nuk duhet të trajtohen si premtime politike.

“Reforma në drejtësi nuk është premtim politik, por një domosdoshmëri shtetërore. Pakoja e pesë ligjeve të reformës në drejtësi, procesi i Vetingut dhe funksionalizimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme përbëjnë shtyllat kryesore të ndërtimit të një sistemi drejtësie më të përgjegjshëm, më të besueshëm dhe më të drejtë për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Gërvalla.

Ajo ka vlerësuar se ndërtimi i një shteti të fortë lidhet drejtpërdrejt me forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe luftimin e pandëshkueshmërisë.

“Republika e Kosovës nuk mund të ndërtohet mbi pandëshkueshmërinë dhe as të ecë përpara me institucione të dobëta. Drejtësia duhet të jetë e fortë, profesionale dhe e pakompromis ndaj paligjshmërisë, sepse vetëm kështu forcohet besimi i qytetarëve dhe konsolidohet vetë Republika”, është shprehur ajo.

Gërvalla ka ritheksuar se procesi i reformimit të sistemit të drejtësisë mbetet prioritet i institucioneve.

“Reforma në drejtësi është e paalternativë, ndërsa pandëshkueshmëria nuk është opsion për një shtet të së drejtës”, ka shtuar ministrja në detyrë e Drejtësisë. /eo