Rreziku gjatë verës, Hoxha: Deri në 10 vjet burg për zjarrvënie të qëllimshme
Foto: Zëri / Ilustrim

Rreziku gjatë verës, Hoxha: Deri në 10 vjet burg për zjarrvënie të qëllimshme

Aktuale July 01, 2026 - 15:17

Institucionet përgjegjëse për sigurinë, menaxhimin e emergjencave dhe mbrojtjen e pyjeve u kanë bërë thirrje qytetarëve të vendit që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr.

Në një konferencë të përbashkët për media, përfaqësues të Policisë së Kosovës, Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Agjencisë Pyjore të Kosovës, Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës dhe Departamentit të Pylltarisë paralajmëruan se zjarrvënie, qofshin të qëllimshme apo si pasojë e pakujdesisë, do të trajtohen me seriozitet dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, bëri të ditur se Kodi Penal parasheh dënime që variojnë nga gjashtë muaj deri në 10 vjet burg për veprën penale të zjarrvënies.

“Andaj, me qëllim që të bëjmë një apel, një thirrje për qytetarët tanë që të kenë kujdes gjatë sezonit verore me shkaktimin e papërgjegjshëm të zjarrtave, jemi thirrur nga drejtori i menaxhimit të emergjencave që bashkërisht të bëjmë këtë konferencë për shtyp, dhe po ashtu t’i bashkërendojmë aktivitetet me qëllim që të kemi sa më pak zjarre, dhe ato zjarre që na lajmërohen t’i menaxhojmë në mënyrë të minimizojmë dëmin që mund ta shkaktojnë gjatë sezonit veror ku zjarret janë më të shpeshta. Do jap edhe disa prej parashikimeve se çka parasheh Kodi Penal me këto dy vepra, se me çka mund të përballen ata që shkaktojnë zjarre dhe normalisht arrijnë të identifikohen dhe të arrestohen nga Policia e Kosovës dërgimit të përcjelljes në prokurori për procedim të mëtutjeshëm. Te rasti i zjarrvënies, Neni 322, është i paraparë dënimi nga gjashtë muaj deri në 10 vjet”, tha Hoxha.

Image

Ndërsa, u.d. i drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Shefki Avdullahu, tha se Agjencia ka ngritur nivelin e gatishmërisë në të gjitha strukturat e saj.

“Qendrat operative emergjente funksionojnë në, pa ndërprerë 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Qendrat rajonale të menaxhimit emergjent ushtrojnë monitorim të vazhdueshëm dhe koordinim me nivelin lokal. Në këtë kuadër theksoj gjithashtu aspektin e zbatimit të ligjit. Të gjitha rastet e zjarrvënieve, pavarësisht nëse janë rezultat i veprimit të qëllimshëm apo i pakujdesisë, do të trajtohen në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi. Personat përgjegjës do të përballen me masat përkatëse ndëshkuese dhe procedurat ligjore pa asnjë përjashtim. Ky qëndrim institucional përbën mesazh të qartë të angazhimit të shtetit për mbrojtjen e rendit publik dhe të mjedisit. Megjithatë, duhet theksuar se asnjë mekanizëm institucional nuk mund të jetë plotësisht efektiv pa bashkëpunim me qytetarët”, tha ai.

Avdullahu theksoi se personat përgjegjës “do të përballen me masat përkatëse ndëshkuese”, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura.

Ndërkaq, hidrologu i lartë në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, Bashkim Kastrati, tha se institucioni monitoron në kohë reale kushtet meteorologjike përmes 24 stacioneve automatike.

“Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës edhe gjatë situatave të tilla, do të thotë kur kemi temperatura të larta, në vazhdimësi e ngrit vigjilencën e saj përmes njoftimeve të cilat i bën për opinionin e gjerë publik, por natyrisht edhe për informimin e institucioneve”, tha ai.

Ndërsa gjatë vitit 2025 janë përfshirë nga zjarret 2.230 hektarë pyje bëri të ditur U.d. i drejtorit ekzekutiv të Agjencisë Pyjore të Kosovës, Menderes Ibra, i cili tha se prej tyre 1.37- hektarë ishin pyje shtetërore e 863 hektarë pyje private.

Sipas tij, dëmet nga zjarret nuk kufizohen vetëm në aspektin ekonomik.

“Ka qenë raste të paraqitura: në rajonin e Prishtinës 34, në rajonin e Mitrovicës 20, në rajonin e Pejës 3, në rajonin e Prizrenit 44, në rajonin e Ferizajt 6, dhe në rajonin e Gjilanit 32. Dëmet në pyje janë brengë e madhe jo vetëm për ne në Agjencinë Pyjore, por edhe për gjithë shoqërinë, për arsye se dëmet në pyje nuk paraqesin vetëm dëmin ekonomik të djegies së pyjeve, por kanë dimension shumë më të lartë, që është shkatërrimi i florës dhe faunës, rrënimi i burimeve ujore, e pastaj ndikimi në lirimin e dioksidit të karbonit, ndryshimi i cilësisë së ajrit e kështu me radhë”, tha ai.

Kurse, drejtori i Departamentit të Pylltarisë, Tahir Ahmeti, tha se temperaturat e larta dhe lagështia e ulët e tokës rrisin ndjeshëm rrezikun për shpërthimin e zjarreve, duke kërkuar koordinim më të madh institucional dhe bashkëpunim me qytetarët.

“Ne po futemi në një periudhë ku temperaturat janë të larta, lagështia e tokës është e ulët, dhe ka potencial të madh për t’u shkaktuar zjarri. Në aspektin legjislativ, ligji për pyjet përcakton se ndezja e zjarreve apo e këtyre mjediseve me drunj sanksionohet me ligj, edhe të gjithë ata persona që bëjnë një veprim të tillë, ballafaqohen me fuqinë e ligjit. Masat preventive për mbrojtjen e pyjeve nga zjarri përcaktohen me planet menaxhuese dhjetëvjeçare. Është obligim me ligj që institucionet që menaxhojnë me pyjet të kenë këto plane, ato t’i implementojnë në mënyrë se si janë të përshkruara aty. Dhe, varësia nga kushtet klimatike e bën këtë proces mjaft kompleks për faktin se pyjet gjithmonë edhe në të kaluarën kanë qenë ekosistemet më të rrezikuara nga degradimi nga zjarri”, u shpreh ai. /eo