Ylfete Fanaj zgjidhet zëvendëskryetare e Qeverisë së Kantonit të Lucernit
"Sot është një ditë e gëzueshme. Jam e kënaqur që u zgjodha zëvendëspresidente e Qeverisë Kantonale dhe mezi pres vitin në vijim", shkruan ajo në rrjetet sociale
Ylfete Fanaj është prej tashmë tre vjetësh pjesë e ekzekutivit (qeverisë) të Kantonit të Lucernit. Gjatë kësaj kohe ajo ka drejtuar dhe vazhdon të drejtojë Departamentin e Drejtësisë dhe sigurisë.
Ndërsa, duke filluar nga dita e djeshme Fanaj është zgjedhur për një vit Zëvendëspresidente e Qeverisë së Kantonit, duke mbajtur edhe më tutje departmentin që kishte, shkruan albinfo.ch
“Sot është një ditë e gëzueshme. Jam e kënaqur që u zgjodha Zëvendëspresidente e Qeverisë Kantonale dhe mezi pres vitin në vijim”, ka shkruar ajo në një postim në linkedin.
“Urime Angela Lüthold-Sidler për zgjedhjen si Presidente e Këshillit Kantonal, Armin Hartmann si President i Qeverisë Kantonale dhe Georg Dubach si Zëvendëspresident i Këshillit Kantonal”, ka shkruar ajo më tutje, duke faleminderuar Këshillin Kantonal për besimin e dhënë.
“E ardhmja nuk ndodh vetvetiu – ne e formësojmë atë. Pres me padurim të vazhdoj të marr përgjegjësi!”, përfundon postimi i Ylfete Fanajt, nënkryetares së Qeverisë së Kantonit të Lucernit.