Mbi 1.500 ankesa të konsumatorëve në gjashtëmujorin e parë të vitit, më së shumti për energjinë elektrike dhe blerjet online
Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit (DMK), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), ka trajtuar 1.567 ankesa të qytetarëve gjatë periudhës janar-qershor 2026.
Sipas raportit të DMK-së, pjesa më e madhe e ankesave lidhet me keqllogaritjet e orëve në njehsorët elektrikë, çështjet e garancisë dhe kthimit të mallrave, mospërputhjen e çmimeve mes rafteve dhe arkave në markete, si dhe problemet me blerjet online dhe mosdorëzimin e produkteve sipas përshkrimit të ofruar.
Nga MINTI vlerësojnë se numri i lartë i ankesave tregon se një pjesë e operatorëve ekonomikë nuk po i respektojnë plotësisht dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe të drejtat e garantuara të qytetarëve.
“Volumi i lartë i ankesave nga konsumatorët tregon se në një numër të konsiderueshëm rastesh operatorët ekonomikë nuk po i respektojnë në mënyrë të plotë dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe të drejtat e garantuara të qytetarëve si konsumatorë”, thuhet në njoftim.
Për këtë arsye, Ministria ka theksuar nevojën për rritjen e mbikëqyrjes së tregut dhe ndërmarrjen e masave shtesë për forcimin e respektimit të të drejtave të konsumatorëve në të gjithë Kosovën.
Ankesat e qytetarëve janë trajtuar në bashkëpunim me institucionet kompetente, duke përfshirë Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë të Kosovës (AUVK), Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) dhe Autoritetin Rregullator të Shërbimeve të Ujit (ARRU).
MINTI u ka bërë thirrje qytetarëve të vazhdojnë të raportojnë çdo shkelje të mundshme të të drejtave të tyre përmes numrit +383 (0) 46 311 000 në Viber, ose përmes adresës elektronike [email protected]. /Zëri