Polemika për bulevardin e Gjilanit, postimi i drejtorit komunal nxit reagime nga opozita
Një postim i drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Gjilanit, Kushtrim Ibrahimi, lidhur me projektin e bulevardit të qytetit ka nxitur reagime të menjëhershme nga përfaqësues të opozitës në Kuvendin Komunal.
Ibrahimi publikoi fotografi nga terreni, duke deklaruar se projekti i bulevardit tashmë ka nisur të realizohet dhe se pavarësisht, siç tha ai, “sabotazheve, bllokadave dhe mosvotimit të buxhetit”, puna po vazhdon.
“Bulevardi po bëhet realitet. Ky është vetëm fillimi i transformimit që po i ndodh qytetit tonë”, ka shkruar Ibrahimi, duke shtuar se janë publikuar edhe dokumentet e lejes së ndërtimit dhe se “faktet flasin vetë”.
Megjithatë, pretendimet e drejtorit janë kundërshtuar nga shefi i Grupit të Asamblistëve të PDK-së në Gjilan, Bujar Nevzati, i cili ka akuzuar Komunën për manipulim të opinionit publik.
Sipas Nevzatit, fotografitë e publikuara nuk i përkasin projektit të bulevardit, por ceremonisë së vendosjes së gurthemelit të objektit të Administratës Komunale.
“Fotografitë që publikoi janë nga vendosja e gurthemelit të objektit të Administratës Komunale, ndërsa leja që ai paraqet i përket po këtij objekti dhe jo bulevardit”, ka deklaruar Nevzati.
Ai ka pretenduar se leja me numër 04520-1 lidhet me objektin e Administratës Komunale dhe jo me parcelën ku parashihet ndërtimi i bulevardit.
“Paraqitja e lejes së Administratës Komunale sikur të ishte leje për bulevardin është manipulim i opinionit publik”, ka shtuar ai.
Kritikave iu bashkua edhe asamblisti i LDK-së, Gentrit Murseli, i cili akuzoi drejtorin Ibrahimi për dezinformim të qytetarëve, raporton Telegrafi.
“Dokumenti që ka publikuar nuk është leje për Bulevardin e Qytetit. Ai vërteton vetëm se Komuna posedon leje ndërtimore për objektin e Administratës Komunale me etazhitet ‘B+P+5’”, shkroi Murseli.
Sipas tij, publikimi i kësaj lejeje nuk i jep përgjigje pyetjes kryesore nëse projekti i bulevardit posedon dokumentacionin e nevojshëm për realizim.
“Nëse ekziston leja për Bulevardin e Qytetit, publikoje. Nëse jo, ndale dezinformimin e opinionit publik”, ka deklaruar ai, duke paralajmëruar se do të kërkojë zyrtarisht qasje në dokumentet publike në Drejtorinë e Urbanizmit për këtë çështje.
Debati për projektin e Bulevardit të Qytetit vjen në një kohë kur autoritetet komunale kanë nisur promovimin e projektit si një nga investimet kryesore infrastrukturore në Gjilan, ndërsa opozita vazhdon të ngrejë dilema rreth procedurave dhe dokumentacionit të nevojshëm për realizimin e tij. /Telegrafi