Zbulohet murali “Çast”, u dedikohet të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit

Zbulohet murali “Çast”, u dedikohet të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit

Aktuale June 17, 2026 - 10:35

Është zbuluar murali “Çast” në Prishtinë, i cili u dedikohet të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se ky është një akt i respektit dhe kujtesës për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale.

“Ky mural këtu, që është i vendosur në zemër të Prishtinës, është një akt i kujtesës dhe i respektit për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky mural është nderim për çdo grua dhe burrë që mbijetoi këtë krim të tmerrshëm të luftës. E përgëzoj edhe një herë presidenten Jahjaga për këtë iniciativë, për të cilën jam shumë i lumtur që ne si kryeqytet kemi pasur mundësi që sado pak ta mbështesim dhe t’i japim hapësirë kësaj pjese të historisë sonë të përbashkët”, tha Rama.

Image

“Ky mural do të mbetet këtu për gjithmonë, që edhe kalon… për secilin që kalon, pra ka me pasur një kujtesë shoqërore, një kujtesë kolektive nëpër të cilën ne si shoqëri kemi kaluar, dhe tregon që sakrifica e këtyre të mbijetuarve të dhunës seksuale është vetë themeli i paqes, i lirisë, e i demokracisë që ne sot gëzojmë si qytetarë të kryeqytetit e të gjithë Kosovës. Prandaj, urime Prishtinë! Faleminderit shumë presidente Jahjaga për këtë iniciativë të mrekullueshme. E paçim këtu si një kujtim të mendësisë tonë kolektive e të mos e harrojmë kurrë”, deklaroi Rama.

Ish-presidentja Atifete Jahjaga tha se ky muaj shërben për të kujtuar dhe nderuar sakrificën e secilit qytetar që ka dhënë kontribut për vendin tonë.

“Në këtë muaj që neve e shënojmë kujtesën tonë që kemi, kujtojmë çlirimin e shtetit tonë, ku neve e kujtojmë dhe nderojmë sakrificën e gjithsecilit qytetar të vendit tonë që ka bërë për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Pikërisht në këtë ditë, kryetar, kur neve po zbulojmë, së bashku edhe me shumë komuna të tjera, këtë mural i cili nuk është vetëm si mural, por ka kjo një domethënie të veçantë sepse është një akt i dinjitetit, është një akt i kujtesës, është një akt i përgjegjësisë ndaj të vërtetës sonë, sepse 27 vite më parë kur neve kemi trashëguar shumë pasoja të luftës, neve kemi trashëguar edhe mbi 20 mijë gra dhe burra ku trupi i tyre është shndërruar në fushëbetejë, ku dhunimi është përdorur si mjet lufte ndaj qytetarëve të pafajshëm të shtetit tonë, dhe pikërisht kjo vepër e artit, që unë nuk i them që është vetëm vepër e artit, sepse pas nesh është edhe një dëshmi publike, një kujtesë e gjallë dhe një thirrje që historia jonë të mos harrohet, që historia jonë të mos heshtet”, u shpreh Jahjaga.

Image

Jahjaga tha se kësaj vepre duhet kushtuar kohë për të kujtuar të mbijetuarit e dhunës seksuale.

“Kjo nuk është vetëm një vepër e artit, por gjithsecili qytetar i Prishtinës, secili vizitor, secili turist, secili njeri i cili do të kalojë në këtë rrugë, apo në rrugët e qyteteve të tjera të Kosovës, do t’ia kushtojë një minutë për të menduar, për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Dhe kjo është lutja e ime për të gjithë qytetarët e Kosovës, por edhe ata që vizitojnë Kosovën, që t’ia kushtojnë një minutë që të vendosin veten në mendjen dhe në shpirtin e të mbijetuarve”, tha ajo.

Ky aktivitet është organizuar nga fondacioni "Jahjaga" në mbështetje të kryeqytetit. /eo