Shtohen rastet e helmimeve nga insektet dhe zvarranikët në Fier

Shtohen rastet e helmimeve nga insektet dhe zvarranikët në Fier

Aktuale June 16, 2026 - 21:43

Rritja e temperaturave ka bërë që në Spitalin Rajonal të Fierit të shtohen ndjeshëm rastet e pickimeve nga insekte të ndryshme dhe zvarranikë.

Madje, sipas mjekëve toksikologë, rastet e paraqitura këtë vit kanë qenë klinikisht më të rënda se ato të vitit të kaluar, çka tregon për një ngarkesë toksikologjike më të lartë nga insektet dhe zvarranikët.

“Fatkeqësisht janë shtuar shumë gjallesat helmuese, që nga insektet, zvarranikët, dhe çdo lloj insekti që nga vapa është bërë më helmues dhe alergjik”, ka thënë Lulëzim Banushi, toksikolog në Spitalin e Fierit.

Mjeku jep këshilla për popullatën, veçanërisht për ata që kanë oborre dhe, natyrisht për ata që jetojnë në zonat rurale.

“Veç dezinfektimeve në ambientet bujqësore dhe oborret e shtëpive dhe tokave ku punojnë, duhen marra masa për mjete mbrojtëse, doreza, çizme, kominoshe. Duhet kontrolluar vendi para se të futësh duart dhe të bësh punë të ndryshme”, shpjegon ai.

“Sidomos për fëmijët e vegjël që luajnë në oborr, duhet kujdes i madh”, shtoi Banushi.

Kërkimi i menjëhershëm i ndihmës mjekësore, në rastet e pickimeve apo kafshimeve nga insektet helmuese ose zvarranikët, këshillohet si masa e parë që duhet të merret, sipas mjekëve toksikologë./A2Cnn