Hoxhaj: Kosova është në udhëkryqin më të madh që nga viti 2008
Foto: Laura Hasani

Hoxhaj: Kosova është në udhëkryqin më të madh që nga viti 2008

Aktuale June 16, 2026 - 21:55

Ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se Kosova gjendet përballë sfidave të mëdha gjeopolitike dhe teknologjike, duke theksuar nevojën për një drejtim të qartë strategjik dhe mbrojtjen e vlerave demokratike.

Duke folur në konferencën ndërkombëtare “From Peace to Prosperity”, Hoxhaj tha se Kosova sot ka më shumë se kurrë nevojë për një ideal të qartë politik dhe shoqëror.

Sipas tij, rendi ndërkombëtar që i mundësoi Kosovës ta jetesojë pavarësinë nuk ekziston më dhe vendi duhet të ripozicionohet shpejt për t’u integruar në sistemin ndërkombëtar të një rendi të ri që po formësohet gradualisht.

“Kosova më shumë se asnjëherë ka nevojë për drejtim dhe ideal të qartë”, tha Hoxhaj në fjalimin e tij.

Ai foli edhe për ndikimin e ndryshimeve të mëdha teknologjike dhe inteligjencës artificiale në ekonomi dhe shoqëri, duke theksuar se Kosova duhet të modernizohet, por pa hequr dorë nga vlerat themelore të demokracisë.

“Kosova ka nevojë të modernizohet si shoqëri, por mbi të gjitha ka nevojë ta mbrojë idealin e demokracisë, tregut të lirë, sundimit të ligjit dhe mediave të pavarura”, u shpreh ai.

Në fund, Hoxhaj vlerësoi se vendi ndodhet në një moment vendimtar historik.

“Sot, Kosova është në udhëkryqin më të madh që ka pasur pas vitit 2008, sepse sesi do të duket ndërtimi i institucioneve do të përcaktojë sesa i fortë do të jetë shteti ynë dhe sesa e drejtë shoqëria jonë”, deklaroi Hoxhaj.