Kurti në Ditën e Çlirimit: Së shpejti Kosova do të ketë edhe xhandarmëri
Foto: Laura Hasani

Kurti në Ditën e Çlirimit: Së shpejti Kosova do të ketë edhe xhandarmëri

Aktuale June 12, 2026 - 13:40

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Prekaz dhe Prishtinë në shënim të 27-vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, duke vlerësuar sakrificën e familjes Jashari, luftën e UÇK-së dhe ndërhyrjen e NATO-s.

Në kuadër të agjendës shtetërore, Kurti, së bashku me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, zëvendëskryeministren Donika Gërvalla dhe ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bënë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Pas homazheve, Kurti tha se Prekazi mbetet “kryeqyteti i kryengritjes bashkëkohore të popullit shqiptar”, duke theksuar se sakrifica e familjes Jashari është në themel të historisë së Kosovës dhe të idealit për liri e shtetësi.

Më pas, në Prishtinë, ai bëri homazhe te varri i presidentit historik Ibrahim Rugova, te varri i veprimtarit Adem Demaçi, te Varrezat e Dëshmorëve, te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti dhe te pllaka përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s.

Duke folur te shtatorja e Zahir Pajazitit, Kurti tha se aksionet guerile të tij dhe Epopeja e UÇK-së e bënë të pakthyeshme rrugën drejt çlirimit të Kosovës.

Ai theksoi se Kosova sot ka institucione të forta të sigurisë dhe paralajmëroi krijimin e një strukture të re.

“Sot, Republika e Kosovës e ka ushtrinë e fortë, e ka policinë e aftë, e së shpejti do të ketë edhe xhandarmëri, në mënyrë që ta sigurojmë paqen, ta garantojmë stabilitetin institucional, t’i kontribuojmë sigurisë dhe stabilitetit rajonal e më gjerë”, deklaroi Kurti, transmeton Zeri.info.

Ai shtoi se Kosova do të vazhdojë rrugën drejt integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit dhe garantimit të të drejtave të qytetarëve në gjithë territorin e vendit. /Zëri