Çfarë pretendon ZPS-ja se u ndodhi të ndaluarve në Jabllanicë?
Jabllanica, një fshat në komunën e Gjakovës, në dosjen përfundimtare të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, përshkruhet se ishte vendi në të cilin u ndaluan, arrestuan dhe u keqtrajtuan persona të përkatësive të ndryshme etnike, duke përfshirë edhe shqiptarë, e që disa prej tyre pretendohet se nuk u panë më gjallë.
I njohur si “Maxhupi” apo “15”, Lahi Brahimaj pretendohet se ishte komandanti dhe anëtari me gradën më të lartë në Jabllanicë. Ndërsa, vëllau i tij pretendohet se nga korriku i ’98-ës ishte zëvëndëskomandant i Zonës së Dukagjinit, e që së bashku me Alush Agushin ishin gjithashtu komandantë me bazë në Jabllanicë.
Në dosje thuhet se Lahi Brahimaj dhe Nazmi Brahimaj ushtronin autoritet mbi Policinë Ushtarake në Jabllanicë. Ndërsa, Pjetër Shala (i njohur si Ujku), u emërua oficer i Policisë Ushtarake aty në prill ose maj 1998.
Për Shalën, Prokuroria pretendon se në pranverë të 1998-ës, në Jabllanicë dhe zonat përreth, mori në pyetje, frikësoi, keqtrajtoi dhe arrestoi kundërshtarë. Ndërsa, në fund të pranverës 1999, sipas Prokurorisë, Shala kreu krime në Kukës të Shqipërisë.
“Para dhe pas emërimit të tij si drejtues i Drejtorisë së Financave të Shtabit të Përgjithshëm, Lahi Brahimaj përfaqësonte selinë e Jabllanicës dhe zonën e Dukagjinit, duke shërbyer si ndërlidhës ndërmjet tyre dhe Shtabit të Përgjithshëm. Në këtë cilësi, Brahimaj takohej shpesh dhe koordinonte me të Akuzuarit, me të cilët kishte lidhje të hershme”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Si argument, Prokuroria përdor pretendimin se Veseli ishte fshehur në shtëpinë e Brahimajt në Jabllanicë në fillim të viteve 1990. Ndërsa, nofka “Luli” për Veselin pretendohet se u propozua nga Lahi Brahimaj.
Edhe për Selimin, Prokuroria pretendon se takohej shpesh me Brahimajn dhe qëndronte në shtepinë e tij në Jabllanicë, ku edhe organizonin dërgesa armësh nga Shqipëria e planifikonin aktivitete ushtarake.
Ndërsa nga mesi i vitit 1995, Prokuroria pretendon se Thaçi dhe Lahi Brahimaj takoheshin një ose dy herë në vit dhe se për Thaçin ai ishte një nga pikat kryesore të kontaktit në Kosovë.
Gjatë kësaj periudhe dhe periudhën e luftës, thuhet se tre nga të akuauzrit që u përmendën vizituan pika të ndryshme në Zonën e Dukagjnit.
Ndërsa, për Krasniqin Prokuroria thotë se në mesin e korrikut 1998, të paktën vizitoi kazermat në Jablanicë, ndërsa aty po kryheshin krime.
“Për më tepër, vizita e Krasniqit rreth datës 7 shtator 1998 përkoi afërsisht me fillimin e hetimeve për trupat – përfshirë atë të të paraburgosurit të Jabllanicës, Pal Krasniqi – të gjetur në Liqenin e Radoniqit”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Kompleksi i kazermave në Jabllanicë, sipas Prokurorisë, shërbeu si objekt paraburgimi për personat që akuzoheshin si bashkëpunëtorë të armikut. Thuhet se të ndaluarit mbaheshin në dy dhoma të një shtëpie me katër dhoma brenda kompleksit.
“Lahi dhe Nazmi Brahimaj përdornin një zyrë në të njëjtën ndërtesë për të marrë në pyetje dhe keqtrajtuar të paraburgosurit…Sipas [REDAKTUAR], të gjithë në zonë e dinin për qendrën e paraburgimit aty. Familjet e viktimave bënin vazhdimisht pyetje për fatin e të afërmve të tyre dhe u thuhej se ata ishin dërguar dhe po mbaheshin në Jabllanicë, fakt i cili iu konfirmua disa prej tyre nga anëtarë të UÇK-së, përfshirë Lahi dhe Nazmi Brahimajn”, thuhet në dosje.
Prokuroria pretendon se nga prilli deri në fund të korrikut të 1998-ës, shumë anëtarë të UÇK-së, duke përfshirë Lahi Brahimajn, Nazmi Brahimajn e persona të tjerë, arrestuan dhe ndaluan më shumë se 12 persona.
“Midis të paktën prillit dhe fundit të korrikut 1998, shumë anëtarë të UÇK-së, përfshirë Lahi Brahimajn, Nazmi Brahimajn, Idriz Balajn (i njohur si Toger), Naser Brahimajn, Hamza Brahimajn dhe anëtarë të policisë ushtarake, arrestuan dhe ndaluan më shumë se 12 persona për periudha të ndryshme kohore, nga një natë deri në gjashtë javë, në kompleksin e kazermave të Jabllanicës”, thuhet në dosje.
Prokuroria përmend me emra disa prej të ndaluarve në këtë kompleks të kazermave në Jabllanicë.
“Ndër ta ishin Idriz Ngucati, Jah Bushati, të paktën dy burra romë të paidentifikuar, [REDAKTUAR], Nenad Remishtar, dy burra malazezë të paidentifikuar, një burrë boshnjak i paidentifikuar, Skender Kuqi, Pal Krasniqi dhe [REDAKTUAR]”, thuhet në dosje.
Thuhet se gjatë kohës që ishin të ndaluar, viktimat ruheshin dhe lidheshin me litarë dhe tela. Ndërsa, përpjekjet për arratisje ndëshkoheshin rëndë.
Sipas Prokurorisë, të ndaluarit kishin ushqim, ujë, kushte sanitare dhe higjienike, si dhe kujdes mjekësor të pamjaftueshëm. Ndërsa, për të fjetur thuhet se kishin vetëm dyshemenë. Aty thuhet se dritaret ishin të mbuluara me dërrasa druri dhe dyshemeja kishte njolla gjaku.
Për një person, Prokuroria thotë se nuk u lejua që të largohet nga dhoma ku ishte i ndaluar për javë të tëra dhe gjatë asaj kohe shpesh ishte pa vetëdije dhe i paaftë për të ngrënë ose pirë.
Sipas Prokurorisë, anëtarët e UÇK-së, përfshirë Lahi Brahimajn, Nazmi Brahimajn, Idriz Balajn, Naser Brahimajn, Hamza Brahimajn dhe pjesëtarë të Policisë Ushtarake, i nënshtronin rregullisht të paraburgosurit ndaj rrahjeve të rënda dhe abuzimit psikologjik.
Prokuroria thotë se gjatë kohës kur rriheshin dhe keqtrajtoheshin, të paraburgosurit akuzoheshin për bashkëpunim, merreshin në pyetje dhe, në disa raste, detyroheshin të pranonin se ishin spiunë.
“Anëtarët e UÇK-së i rrihnin rregullisht të paraburgosurit në mënyrën më “barbare” dhe “të pamëshirshme”, në të gjithë trupin me shkopinj, i godisnin me grushte dhe shqelma, i thernin me thika dhe i kërcënonin me vdekje”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Prokuroria pretendon se një anëtar i UÇK-së i dha armën njërit prej të ndaluarve malazez dhe i tha që ta vriste tjetrin malazez. Kurse, Lahi Brahimaj pretendohet se i dha armën një të ndaluari tjetër dhe i tha që ta vriste veten me arsyetimin se nuk donte që t’i njolloste duart me gjakun e tij.
“Në një rast tjetër, Lahi Brahimaj i dha një armë [REDAKTUAR] dhe i tha të vriste veten, duke thënë se nuk donte t’i “njolloste duart” me gjakun e [REDAKTUAR]”, thuhet në dosje.
Për një person, pretendohet se arriti që të arratisej, por Lahi Brahimaj e kishte rikapur dhe e kishte dërguar në disa lokacione. Pretendohet se gjatë një ndalese, Brahimaj e nxori të ndaluarin nga bagazhi i veturës dhe ia drejtoi armën.
“Pasi [REDAKTUAR] arriti të arratisej, Lahi Brahimaj e rikapi dhe e dërgoi në disa lokacione. Gjatë një ndalese, Brahimaj e nxori [REDAKTUAR] nga bagazhi i veturës, ia drejtoi armën dhe tërhoqi këmbëzën; doli tym dhe [REDAKTUAR] mendoi se kishte vdekur, por nuk pa gjak që t’i dilte nga trupi”, thuhet në dosje. /BetimipërDrejtësi