Haxhiu në Sofje, merr pjesë në Samitin e SEECP-së

Haxhiu në Sofje, merr pjesë në Samitin e SEECP-së

Aktuale June 10, 2026 - 12:50

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, po qëndron në Sofje të Bullgarisë për të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), një nga forumet kryesore rajonale të dialogut politik në Evropën Juglindore.

Samiti i SEECP-së, i cili zhvillohet në kryeqytetin e Bulgarisë, Sofia, mbledh liderë të vendeve të rajonit me qëllim të thellimit të bashkëpunimit rajonal dhe koordinimit politik në çështje me interes të përbashkët.

Në fokus të diskutimeve të këtij forumi janë bashkëpunimi rajonal, siguria, forcimi i lidhshmërisë infrastrukturore dhe ekonomike, proceset e integrimit evropian, si dhe zhvillimi i qëndrueshëm i vendeve të Evropës Juglindore.

Gjatë pjesëmarrjes së saj, Haxhiu pritet të përfaqësojë Republikën e Kosovës duke riafirmuar përkushtimin e vendit për bashkëpunim të barabartë rajonal, trajtim të drejtë në proceset integruese evropiane, si dhe forcimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

South-East European Cooperation Process (SEECP) mbetet një platformë e rëndësishme për dialogun politik ndërmjet vendeve të rajonit dhe avancimin e agjendës së përbashkët evropiane. /Zëri