Rritet interesimi për vaksinim kundër fruthit, mbi 1 mijë doza të dhëna në Prishtinë gjatë majit
Nga 16 prilli e deri më 1 qershor, janë raportuar 25 raste fëmijëve të cilët janë prekur nga fruthi.
Kështu ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ku vetëm në javën e fundit të majit ishin raportuar pesë raste të reja.
E gjithë këto raste po vijnë si shkak i hezitimit të prindërve për të vaksinuar fëmijët e tyre.
“Për fat të keq, ato teoritë konspirative që gjoja vaksina shkakton autizëm ka bërë që prindërit të hezitojnë ta sjellin fëmijën për vaksinim. Por pastaj studime të tëra kanë bërë që kjo nuk është e vërtetë”, tha mjeku Rushit Ismaili.
Mjeku familjar që punon në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë ka treguar simptomat kryesore të fruthit.
“Për fat, kohëve të fundit prindërit e kanë kuptuar që është shumë e rëndësishme që të vaksinohet fëmija kundër fruthit, është një sëmundje goxha e rëndë e cila paraqitet me skuqje, me temperaturë shumë të lartë, në qoftë se përkeqësohet mund të shkaktojë probleme të rënda shëndetësore”, thotë ai.
Që interesimi i prindërve për të vaksinuar fëmijët është rritur pas rasteve të fundit e thotë edhe infermieria përgjegjëse në këtë QKMF, Flora Rashani.
“Interesimi i prindërve për t’i paraqitur fëmijët në Qendrat e vaksinimit, po flas për Qendrat kryesore të Mjekësisë Familjare dhe në 16 qendra të tjera ku ekziston njësia vaksinimi numri i prindërve që sjellin fëmijët për tu vaksinuar kundër fruthit është dukshëm i madh. Numri i fëmijëve vetëm këtë muaj ka arritur mbi 1 mijë fëmijë, grupmosha 1-5 vjeç”, tha Rashani.
Doza e parë e kësaj vaksine jepet në moshën 12 muajshe, kurse doza e dytë jepet para fillimit të shkollës (5-6 vjeç). /tëvë1