Ambasadori gjerman: Shqipëria pjesë e familjes europiane, reformat kusht për anëtarësimin në BE

Ambasadori gjerman: Shqipëria pjesë e familjes europiane, reformat kusht për anëtarësimin në BE

Aktuale May 26, 2026 - 21:26

"Arritja e objektivave të ndërmjetme në grupkapitullin “Fundamentals” përbën një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.

Kështu është shprehur Ambasadori gjerman në Shqipëri, Karl Bergner, teksa në Bruksel po zhvillohet  Konferenca e 8 Ndërqeveritare.

Në një postim në rrjete sociale ambasadori gjerman thekson se Shqipëria është pjesë e familjes evropiane dhe Gjermania e mbështet fuqimisht anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.

“Përgëzoj me këtë rast të gjithë qytetarët e Shqipërisë si dhe të gjithë ata në politikë, administratë dhe drejtësi, që kanë kontribuuar duke u angazhuar fort në këtë drejtim. Shqipëria është pjesë e familjes evropiane. Ndaj Gjermania e mbështet fuqimisht anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian”.

“Një shtet ligjor i fortë, mbrojtja e të drejtave themelore dhe një demokraci pluraliste janë thelbi i vlerave evropiane. Kësisoj hapat përpara në lëmin e “Fundamentals“ përcaktojnë shpejtësinë e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së. Ndaj arritja e objektivave të ndërmjetme përbën pikënisjen për hapa të mëtejshëm të Shqipërisë në funksion të forcimit të shtetit ligjor. Dakordësia për IBAR-in është shprehje e pritshmërisë dhe inkurajimit tonë të qartë për vijimin e reformave, zbatimin e tyre me vendosmëri në praktikë dhe konsolidimin e institucioneve përgjegjëse”.

“Respektimi i pavarësisë së drejtësisë dhe lufta pa pengesa e korrupsionit edhe në raste të nivelit të lartë janë kushte të panegociueshme për progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Këtu bën pjesë edhe fakti, që vendimmarrjet lidhur me heqjen e imunitetit duhet të jenë në harmoni me rekomandimet e komisionit të Venecias”.

“Shtetet anëtare të BE-së i kanë ankoruar shumë qartë këto pritshmëri në Deklaratën e tyre të Përbashkët si kushte për përmbylljen e bisedimeve. Ashtu si institucionet dhe shtete të tjera anëtare të BE-së, edhe Gjermania do të ndjekë me shumë vëmendje zhvillimet në vijim si dhe do të mbështesë hapat e mëtejshëm të reformave.“ /A2CNN