Qeveria ndan 2 milionë euro për mërgatën dhe mbështet olimpiadat ndërkombëtare të nxënësve kosovarë
Foto: Laura Hasani

Qeveria ndan 2 milionë euro për mërgatën dhe mbështet olimpiadat ndërkombëtare të nxënësve kosovarë

Aktuale May 26, 2026 - 22:42

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot një mbledhje elektronike, në të cilën ka marrë disa vendime lidhur me mbështetjen e mërgatës dhe promovimin e shtetit përmes pjesëmarrjes në gara ndërkombëtare.

Sipas njoftimit, Qeveria ka ndarë mjete buxhetore në vlerë prej 2 milionë eurosh për zbatimin e Masës 4.5 “Mbështetja e Mërgatës” në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike. Këto mjete do të shërbejnë për mbështetjen e linjave ajrore që lidhin Kosovën me destinacionet ku jeton mërgata shqiptare.

Po ashtu, janë ndarë mjete financiare edhe për disa subjekte kërkuese me qëllim të promovimit të Republikës së Kosovës në aktivitete dhe gara ndërkombëtare.

Për Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës janë ndarë 8 mijë euro për pjesëmarrjen në Olimpiadën e 67-të të Matematikës 2026, e cila do të mbahet më 21 korrik në Shangai të Kinës.

Ndërkaq, për “Kosova Global Talent Center” janë ndarë 70 mijë e 876 euro e 79 cent për pjesëmarrjen e 26 nxënësve në finalen e “NEO Science Olympiad”, që do të mbahet në muajin korrik në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Qeveria ka mbështetur edhe Shoqatën e Kimistëve të Kosovës me 3 mijë e 500 euro për pjesëmarrjen në Olimpiadën Ndërkombëtare të Kimisë 2026, e cila do të mbahet nga 10 deri më 19 korrik në Tashkent të Uzbekistanit.

Në mbledhjen elektronike është aprovuar gjithashtu lista e anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme./Zëri