Konsullata e Kosovës në Frankfurt pret studentë shqiptarë, diskutohen iniciativa për zhvillimin e vendit

Konsullata e Kosovës në Frankfurt pret studentë shqiptarë, diskutohen iniciativa për zhvillimin e vendit

Aktuale May 26, 2026 - 22:31

Në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Frankfurt am Main është pritur një grup studentësh shqiptarë nga “Frankfurt School of Finance & Management”, ku është diskutuar për mundësitë e angazhimit të të rinjve në projekte që lidhen me zhvillimin e Kosovës.

Sipas njoftimit të Konsullatës, gjatë takimit me Konsullin e Përgjithshëm u bisedua për krijimin e platformave që do të mundësonin rrjetëzimin e studentëve dhe vënien në funksion të dijeve dhe përvojave të tyre profesionale, me qëllim të nxitjes së ideve inovative dhe projekteve konkrete në shërbim të vendit.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe roli i të rinjve shqiptarë në diasporë, të cilët po dëshmojnë çdo ditë e më shumë potencialin dhe suksesin e tyre në fusha të ndryshme akademike dhe profesionale.

Konsullata vlerësoi angazhimin dhe arritjet e studentëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së tyre në iniciativa që kontribuojnë në zhvillimin e Kosovës./Zëri