Shkon në 38 numri i rasteve me ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut

Shkon në 38 numri i rasteve me ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut

Aktuale August 19, 2026 - 16:28

Ka arritur në 38 numri i të prekurve nga ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut.

Autoritetet e këtij shteti kanë njoftuar se prej tyre, 37 janë nga rajoni i Shkupit dhe vetëm një i infektuar nga Velesi.

Sipas autoriteteve, të gjithë janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive në Shkup.

Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Sasho Klekovski ka thënë se prej tyre 28 janë meshkuj dhe 10 femra, por sipas tij, java e fundit ka qenë fatale për tre pacientë, duke e çuar në katër numrin e të vdekurve nga ethet e Nilit Perëndimor.

“Vetëm në javën e fundit ndërmjet dy mesatareve që nxjerr Instituti i Shëndetit Publik në raportet për Ethet e Nilit Perëndimorë kemi 12 raste të reja dhe në këtë periudhë ka pasur tre raste të vdekjeve të reja… Nga format neuro-invazive që janë 1% e gjithsej të prekurve, nëse po flasim për 38 raste mund të shumëzohen me 100 për të konstatuar numrin real të të infektuarve. Megjithatë 80% e të prekurve janë pas asnjë simptomë të manifestuar apo pa pasoja shëndetësore”, ka thënë ai.

Pas shpalljes së epidemisë së Etheve të Nilit Perëndimor në komunat Kisella Voda, Gazi Baba, Aerodrom dhe Butel, po merren masa për kontrollin e mushkonjave.

Ministri Klekovski ka thënë se vazhdojnë aktivitetet e intensifikuara për të mbrojtur popullatën në komunat e prekura nga prania e shtuar e infeksioneve.