Sinani: Raporti i KiE-së konfirmon përkeqësimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka deklaruar se raporti i fundit i Komisionerit të Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Michael O’Flaherty, pas vizitës në Serbi, konfirmon përkeqësimin e situatës së të drejtave të njeriut dhe ngushtimin e hapësirës demokratike për shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Sipas saj, shqetësimet e ngritura në raport lidhen me lirinë e shprehjes, presionin ndaj shoqërisë civile, gjuhën e urrejtjes dhe trajtimin e atyre që kërkojnë të drejtat e tyre.
“Shqetësimet e ngritura për lirinë e shprehjes, presionin ndaj shoqërisë civile, gjuhën e urrejtjes dhe trajtimin e atyre që kërkojnë të drejtat e tyre, janë alarm serioz për gjendjen në Serbi. Për ne në Luginën e Preshevës, kjo nuk është vetëm analizë apo raport ndërkombëtar. Ky është realiteti ynë i përditshëm. Pasivizimi i adresave, diskriminimi institucional, mungesa e përfaqësimit dhe presioni i vazhdueshëm ndaj shqiptarëve vazhdojnë të cenojnë të drejtat tona elementare për të jetuar dhe vepruar të lirë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Sinani ka theksuar se vëmendja dhe presioni ndërkombëtar janë të domosdoshëm, por po aq i rëndësishëm mbetet edhe zëri i përbashkët i komunitetit shqiptar në Luginë.
“Ne nuk do të heshtim përballë padrejtësive dhe politikave që synojnë margjinalizimin dhe tjetërsimin e shqiptarëve në Luginë. Presheva meriton dinjitet, trajtim të barabartë dhe respektim të plotë të të drejtave të njeriut, ashtu si çdo qytetar tjetër në Evropë. Do të vazhdojmë të kërkojmë përgjegjësi institucionale dhe të bashkëpunojmë me mekanizmat ndërkombëtarë derisa këto padrejtësi të marrin fund”, tha ajo.
Ajo ka shtuar se raporti përbën një moment të rëndësishëm ndërkombëtar për kauzën e Luginës së Preshevës, duke theksuar se problemet e ngritura tashmë janë të evidentuara edhe nga institucione evropiane.
“Ne do të vazhdojmë punën me përkushtim, përmes dialogut, dokumentimit dhe përfaqësimit dinjitoz, në mënyrë që këto rekomandime të mos mbeten vetëm në letra, por të shndërrohen në ndryshim konkret për qytetarët tanë”, tha ajo.