Nis votimi me postë për diasporën, KQZ-ja jep detaje për procesin
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot ka nisur procesi i votimit jashtë Kosovës për shtetasit e regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Sipas KQZ-së, periudha e votimit do të zgjasë 17 ditë, nga 21 maji deri më 6 qershor 2026, dhe përfshin rreth 105 mijë shtetas të Kosovës që janë regjistruar me sukses si votues jashtë vendit, transmeton Zeri.info.
Në këtë kategori përfshihen edhe qytetarët që fillimisht ishin regjistruar për votim fizik në përfaqësi diplomatike, por që janë transferuar automatikisht në votim me postë, pasi numri i votuesve në përfaqësitë përkatëse nuk ka kaluar pragun prej 50 votuesve.
KQZ-ja ka bërë të ditur se votuesve do t’u dërgohet me postë pakoja me materialin zgjedhor, e cila përmban udhëzuesin për votim, fletëvotimin, zarfin e fshehtësisë dhe zarfin kthyes.
Sipas procedurës, votuesi duhet ta dërgojë pakon në adresën e kutisë postare të KQZ-së në shtetin ku jeton. Në rastet kur nuk ka kuti postare të KQZ-së në atë shtet, votuesi duhet ta dërgojë në shtetin më të afërt ku është hapur një kuti e tillë.
KQZ-ja ka njoftuar gjithashtu se çdo dërgesë postare është pajisur me numër të veçantë gjurmimi, përmes të cilit votuesit mund të përcjellin vendndodhjen e pakos së tyre.
Institucioni zgjedhor u ka bërë thirrje votuesve që çdo dërgesë postare të jetë individuale. /Zëri