Hamza në një familje në Mitrovicë: Është koha t’i themi “stop” krizës dhe ta ndryshojmë Kosovën
Kryetari Bedri Hamza ka vazhduar aktivitetet e fushatës zgjedhore me takime direkte me qytetarë, duke theksuar se ndryshimi duhet të nisë nga dëgjimi i shqetësimeve reale të tyre.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hamza bëri të ditur se është mirëpritur nga familja Thaçi në Mitrovicë, ku ka diskutuar për vështirësitë ekonomike dhe sociale me të cilat po përballen familjet kosovare.
“Derë më derë, shtëpi më shtëpi, për të dëgjuar nga afër nevojat dhe shqetësimet reale të qytetarëve tanë”, shkroi ai.
Sipas njoftimit, kryefamiljari Besim Thaçi, profesor i teknologjisë, ka deklaruar se situata ekonomike është rënduar në vitet e fundit, për shkak të rritjes së çmimeve dhe stagnimit të pagave.
Hamza ka vlerësuar se Kosova po përballet me krizë të thellë ekonomike dhe sociale, duke theksuar se qytetarët po përballen me çmime të larta, paga të ulëta dhe përkeqësim të mirëqenies.
Ai ka premtuar rritje të pagave dhe pensioneve, ulje të tatimeve dhe investime në ekonomi, shëndetësi dhe arsim.
“Prandaj është jetike t’i themi STOP krizës dhe, bashkë, ta ndryshojmë Kosovën. Ky është misioni ynë. Ky është zotimi ynë”, ka deklaruar Hamza. /Zëri