Jashari: Qytetarëve serbë t’u garantohet e drejta për ta shprehur vullnetin e tyre politik lirshëm

Jashari: Qytetarëve serbë t’u garantohet e drejta për ta shprehur vullnetin e tyre politik lirshëm

Aktuale May 18, 2026 - 09:55

Avokati Arbër Jashari ka thënë se përndjekja e qytetarëve serbë, ndëshkimet e largimet nga puna nga eksponentë të Listës Serbe janë të papranueshme.

Ai ka thënë se qytetarëve serbë duhet t’u garantohet e drejta për ta shprehur vullnetin politik pa frikë dhe pa presione.

“Lajmet e fundit për përndjekje, shkarkime nga puna dhe ndëshkime ndaj qytetarëve serbë të Kosovës, nga eksponentë te Listës Serbe, e përkrahur nga Beogradi, vetëm pse guxojnë të mbështesin subjekte të tjera politike serbe, janë thellësisht shqetësuese dhe të papranueshme. Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme që qytetarëve serbë t’u garantohet e drejta për ta shprehur vullnetin e tyre politik lirshëm, pa frikë dhe pa presion. Integriteti i zgjedhjeve duhet të mbrohet dhe të garantohet në çdo rrethanë. Ndikimi në përcaktimin e lirë të votuesve është vepër penale dhe ndëshkohet sipas ligjit. Shantazhuesit, manipuluesit dhe mbjellësit e frikës duhet të mbajnë përgjegjësi para ligjit. Nuk mund të ketë demokraci të plotë pa demokratizimin e çdo komuniteti në Kosovë. Pluralizmi politik brenda komuniteteve është i domosdoshëm dhe duhet të mbrohet e garantohet”, shkroi ai në Facebook.