Njësia Speciale qëndroi deri në mëngjes në Skenderaj, Policia tha se bëhej fjalë për një plan operativ rutinor

Njësia Speciale qëndroi deri në mëngjes në Skenderaj, Policia tha se bëhej fjalë për një plan operativ rutinor

Aktuale May 15, 2026 - 08:20

Mbrëmja e së enjtes në Skenderaj u shoqërua me zhvillime të shumta pas incidentit, ku u përfshinë kryetari i Komunës Sami Lushtaku dhe kryetari i Degës së LVV-së, Hysni Mehani.

Pas ngjarjes, Prokuroria Themelore në Mitrovicë njoftoi se dy persona, E.L. dhe B.N., janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”. Burime mediale raportuan se në mesin e të ndaluarve janë edhe Amir Lushtaku dhe Bekim Nura.

Situata u tensionua më tej kur pjesëtarë të Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës zbritën në Skenderaj dhe qëndruan në qytet deri në orët e hershme të mëngjesit. Prania e tyre nxiti reagime të ashpra nga figura të PDK-së dhe qytetarë lokalë, të cilët kërkuan sqarime për arsyen e angazhimit të forcave speciale.

Qytetarët fillimisht u grumbulluan para Stacionit Policor në Skenderaj dhe më pas në qendër të qytetit, ku patën komunikim të drejtpërdrejtë me policinë. Ata kërkuan përgjigje lidhur me praninë e Njësisë Speciale, ndërsa policia deklaroi se bëhej fjalë për një “plan operativ rutinor”.

Ish-deputetja Ganimete Musliu e quajti situatën “tallje me qytetarët e Skenderajt” dhe akuzoi pushtetin për përdorim politik të institucioneve shtetërore. Ndërkohë, nënkryetari i komunës Fadil Nura deklaroi se prania e forcave speciale zgjon kujtime të rënda për qytetin.

Drejtoresha e Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Afërdita Mikullovci, tha se vendosja e Njësisë Speciale ishte çështje rutinore dhe operative, e lidhur me kontrolle dhe aktivitete policore të zakonshme.

Pas disa orësh tensione dhe grumbullimi të qytetarëve, Njësia Speciale dhe forcat tjera policore u larguan nga Skenderaj në orët e para të mëngjesit, ndërsa qytetarët paralajmëruan reagime të tjera edhe gjatë ditës së sotme. /eo