Hoxhaj: Zgjedhjet e 7 Qershorit janë përcaktuese për drejtimin demokratik të Kosovës
Një nga udhëheqësit e PDK-së, Enver Hoxhaj ka publikuar një video-mesazh në Facebook, ku zgjedhjet e 7 qershorit i ka cilësuar si një moment përcaktues për drejtimin politik dhe ideologjik të Kosovës.
Duke e lidhur simbolikisht 7 majin e vitit 1945 me fundin e ideologjive që sollën izolim dhe përçarje në Evropë, Hoxhaj tha se edhe Kosova ndodhet sot përballë një zgjedhjeje të rëndësishme për të ardhmen e saj politike dhe shtetërore.
“Edhe me 7 qershor, Kosova ka përballë një zgjedhje shumë të rëndësishme, përcaktuese të saj rreth drejtimit ideologjik të shtetit të Kosovës. Kjo do të jetë një garë në mes të dy modeleve, në mes të modelit populist, centralist, që e mban vendin në konflikt permanent dhe në bllokadë institucionale dhe modelit demokratik që respekton institucionet, Kushtetutën, aleatët strategjikë dhe vlerat perëndimore”, deklaroi Hoxhaj.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që përmes votës së tyre të kontribuojnë në rikthimin e funksionimit demokratik të shtetit dhe forcimin e rendit kushtetues.
“Ju, qytetarë të dashur, me 7 qershor, me mbështetjen tuaj, e keni mundësinë që ta riktheni demokracinë funksionale në Kosovë dhe shtetin e së drejtës”, u shpreh ai.