Serbia, strehë e terroristëve të Banjskës
I akuzuari kryesor për sulmin në Banjskë, Milan Radoiçiq, edhe pse ka marr përgjegjësinë, procedura para drejtësisë serbe mbetet pa epilog.
Prokuroria e Lartë në Beograd nuk ka ngritur aktakuzë dhe nuk ka dhënë informacione për ecurinë e hetimeve, ndërkohë që Radoiçiqi vazhdon të lëvizë lirshëm nëpër Serbi. Mungesa e reagimit institucional, sipas analistëve, shfaq një kontekst më të gjerë politik.
“Banjska ishte një incident serioz që mund të destabilizonte rajonin. BE duhet të ushtrojë presion më të madh ndaj Beogradit për të nisur hetimin dhe procesin gjyqësor. Përgjegjësia nuk është vetëm individuale, por edhe politike, dhe pa vullnet politik nuk mund të ketë epilog juridik”, tha Dushan Janjiq, analist politik.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kërkojnë hetim transparent dhe ndjekje penale të përgjegjësve. Ndërkohë, Radoiçiqi dhe Zvonko Veselinoviq, si biznismen kontroverz, ndodhen në listën e sanksioneve të SHBA-së, ndërsa aktivitetet e tyre në Serbi nuk janë ndërprerë.
Juristët theksojnë se mungesa e epilogut nuk lidhet me mungesë provash, por me mungesë vullneti politik.
“Pa mbështetje nga Beogradi dhe Vuçiqi, Banjska nuk do të kishte ndodhur. Kjo përbën një nga dështimet më serioze politike të pushtetit aktual. Për sa kohë që Vuçiqi është në pushtet, kjo çështje do të mbetet në sirtar. Çështja kyçe nuk është vetëm përgjegjësia për Banjskën, por edhe kursi politik i Serbisë, i cili tani po çon drejt një largimi të mëtejshëm nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Aleksandar Olenik, avokat.
Mungesa e veprimeve konkrete nga institucionet vendase thellon dyshimet për gatishmërinë e shtetit për t’u përballur me një nga incidentet më serioze të sigurisë në rajon në vitet e fundit./rtk