Konjufca në Strasbourg thotë se Kosova është gati për anëtarësim në KiE
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një vizitë që e cilësoi produktive në Strasbourg, ku ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të Këshillit të Evropës
Konjufca tregoi se është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, me të cilin ka diskutuar për avancimin e procesit të anëtarësimit. Po ashtu, ai ka zhvilluar takim edhe me Presidenten e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), Petra Bayr, ku është rikonfirmuar përkushtimi i Kosovës ndaj demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.
Gjatë qëndrimit në Strasburg, Konjufca ka takuar edhe zyrtarë të tjerë të rëndësishëm të strukturave të Këshillit të Evropës, përfshirë Mathieu Mori, Frank Schwabe, Iulian Bulai, Knut Abraham dhe Piero Fassino.
Ai theksoi se Kosova është e gatshme për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke e konsideruar këtë proces si hap të rëndësishëm drejt forcimit të pozitës ndërkombëtare të vendit.
Vizitë produktive në Strasburg, u takova me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, për të diskutuar procesin e anëtarësimit të Kosovës, si dhe me Presidenten e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Petra Bayr, për të rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës ndaj demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Kosova është e gatshme t’i bashkohet Këshillit të Evropës. Po ashtu, ishte kënaqësi të takohesha me Sekretarin e Përgjithshëm të Kongresit të Këshillit të Evropës, Mathieu Mori; Presidentin e Grupit Socialist në PACE, Frank Schwabe; Presidentin e ALDE në PACE, Iulian Bulai; nënkryetarin e grupit EPP dhe njëherësh shefin e delegacionit gjerman në PACE, Knut Abraham; si dhe kryetarin e Nënkomitetit për Ballkanin Perëndimor në PACE, Piero Fassino”, ka shkruar ai në “X”.
Glauk Konjufca, më 16 prill kishte ka mbajtur një konferencë së bashku me homologun e tij belg, Maxime Prevot, pas takimit që kanë pasur. Gjatë kësaj konference, ndër temat për të cilat u deklarua Konjufca, ishte edhe ajo për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Sa i përket mosanëtarësimit të deritanishëm të Kosovës në KiE, Konjufca e kishte bërë përgjegjës ish emisarin e BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak. Ky i fundit, tha Konjufca, ia ka vendosur ‘’një peng’’ Kosovës që nuk i takon lidhur me anëtarësimin në KiE, e që është formimi i Asociacionit.