Supremja kundër Qeverisë, vendimi për Komisionin e Jurisprudencës cilësohet ndërhyrje në drejtësi

Supremja kundër Qeverisë, vendimi për Komisionin e Jurisprudencës cilësohet ndërhyrje në drejtësi

Aktuale April 21, 2026 - 10:23

Kryetari i Gjykatës Supreme ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Qeverisë për formimin e një Komisioni të ri për dhënien e Provimit të Jurisprudencës, duke e cilësuar atë si të paligjshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën.

Në reagimin e tij, ai shpreh shqetësim për vendimin 24/11 të datës 20 prill 2026, i cili është arsyetuar nga Qeveria me pretendime për mungesë transparence dhe ankesa ndaj Komisionit aktual.

Sipas tij, çdo vendimmarrje institucionale duhet të mbështetet në fakte të verifikuara dhe në respektim të kompetencave ligjore, ndërsa zhvendosja e përgjegjësisë tek Komisioni konsiderohet e papranueshme. Ai thekson se organizimi i provimit është përgjegjësi e Ministrisë së Drejtësisë, e cila, sipas tij, ka dështuar të përmbushë obligimet ligjore.

Kryetari i Supremes i ka quajtur “absurde dhe të pavërteta” arsyetimet e dhëna nga Ministrja e Drejtësisë për riformatimin e Komisionit, duke shtuar se vendimi përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në një proces të pavarur.

Ai ka theksuar se Komisioni nuk ka lejuar ndërhyrje në vlerësimin e kandidatëve dhe se puna e tij është zhvilluar në përputhje të plotë me ligjin dhe me transparencë. Sipas tij, shqetësimi i vetëm i adresuar nga Ministria ka qenë shkalla e ulët e kalueshmërisë, por ai ka kundërshtuar çdo përpjekje për uljen e standardeve.

“Komisioni nuk mund të shndërrohet në instrument të Ministrisë së Drejtësisë”, thuhet në reagim.

Tutje, ai e konsideron emërimin e një Komisioni të ri, pa përfunduar mandati i atij ekzistues, si ndërhyrje në institucionet e pavarura dhe si pjesë e një trendi më të gjerë të ndërhyrjeve të Qeverisë në sistemin e drejtësisë.

Në fund, ai rithekson përkushtimin për sundimin e ligjit, pavarësinë institucionale dhe mbrojtjen e interesit publik. /Zëri