Bllokada në KGJK lë pa kryetar Gjykatën Administrative
Bllokada e krijuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës për shkak të mos zgjedhjes së kryesuesit të ri ka lënë të bllokuar edhe procese të tjera.
Ndër to, është edhe hapja e konkursit për kryetar të Gjykatës Administrative, e cila pritet të nis së funksionuari më 5 maj.
Në dy mbledhjet e fundit të cilat dështuan për shkak të mungesës së kuorumit, ishte në rend dite hapja e këtij konkursi. Në KGJK nuk e shohin problematike këtë, meqë kanë dal me zgjidhje të përkohshme.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës, me vendimin KGJK.nr.116/2026 të datës 5 mars 2026, ka vendosur që Gjykata Administrative të fillojë punën më 5 maj 2026. Aktualisht, Këshilli është në fazën e përgatitjeve për zbatimin e këtij vendimi, andaj puna e Gjykatës Administrative do të fillojë sipas afatit të përcaktuar, më 5 maj 2026, duke u udhëhequr nga ushtruesi i detyrës së kryetarit. Me vendimin KGJK.nr.61/2026 të datës 12 shkurt 2026, Këshilli ka caktuar ushtruesin e detyrës së kryetarit të Gjykatës Administrative, i cili do ta udhëheqë gjykatën deri në përfundimin e procedurave për zgjedhjen e kryetarit të ri. Nuk pritet të ketë pengesa për fillimin e punës së gjykatës, pasi janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme organizative dhe funksionale.”– Këshilli Gjyqësor i Kosovës
Por një praktikë e tillë, nuk po vlerësohet e duhur nga përfaqësues të Institutit Demokratik të Kosovës, të cilët thonë se duhet të tejkalohet sa më shpejtë bllokada e krijuar.
“Këto vonesat e mungesës së kuorumit që po shkaktohen po e prolongojnë edhe funksionalizimin e plotë të Gjykatës Administrative sic janë duke prolonguar edhe shumë obligime dhe përgjegjësi të tjera që i ka këshilli, karshi mandatit të vet që ka në shqyrtimin e ankesave e rregulloreve.. derisa nuk ka ende një kuorum të mjaftueshëm e po ka vonesa në këshill normalisht se ka me prolongu e me shkaktu vonesa në zbatimin e plotë të ligjit të Gjykatës Administrative”, ka thënë Vullnet Bugaqku- KDI.
E juristi Anton Nrecaj thotë se praktika e gjykatës Komerciale, e cila ende vazhdon të jetë pa staf të kompletuar, nuk duhet të e ndjek edhe institucione tjera gjyqësore.
“Mosfnksionalizimi ose mosplotësimi me gjyqtar i gjykatës Administrative natyrisht se kjo shkon në dëm të qytetarëve sepse kemi me mijëra raste të cilat adresohen brenda vitit në konflikte administrative në këtë gjykatë, dhe natyrisht se kjo gjykatë do duhej të i trajtonte dhe të arrinte të i trajtonte rastet në kohë”, ka thënë Anton Nrecaj – Jurist.
Sipas Këshillit Gjyqësor, deri më tash janë ndërmarr të gjitha hapat për transferimin e lëndëve në Gjykatën Administrative, e që ky proces pritet të përfundojë në datën e hapjes së gjykatës./dukagjini