Haxhiu në përvjetorin e masakrës në Dyz: Aty s’kishte ushtarë por burra, gra, fëmijë e pleq
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, bëri sot homazhe në fshatin Dyz të Podujevës dhe mbajti fjalë rasti në shënim të përvjetorit të masakrës së kryer nga forcat serbe ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.
Në fjalën e saj, Haxhiu tha se 27 vjet më parë, në mes të prillit, banorët e Llapit dhe Gollakut, në përpjekje për të gjetur shpëtim, u përballën me dhunën brutale të forcave okupatore serbe.
“Aty nuk kishte ushtarë. Aty kishte burra, gra, fëmijë, pleq e njerëz të zakonshëm që kërkonin vetëm të jetonin në paqe. Aq kërkonin, të jetonin në paqe e të jetonin me dinjitet. Por, ata u përballën me një dhunë të organizuar, të planifikuar, u përballën me një dhunë çnjerëzore”, theksoi U.D. Presidentja.
Ajo kujtoi se mbi 200 civilë shqiptarë të paarmatosur u masakruan në këtë akt gjenocidal të Serbisë dhe se kujtimi për ta mbetet detyrim i përhershëm.
“Sot, jemi këtu për ta përkujtuar këtë ngjarje tragjike. Jemi këtu për të mos harruar kurrë. Kujtimi është detyrë morale, është detyrë njerëzore, kujtimi është detyrë edhe kombëtare”, u shpreh Haxhiu.
Duke folur për mungesën e drejtësisë, ajo tha se e vërteta për këto krime dihet dhe se përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë.
“Si institucione të Republikës së Kosovës, kemi krijuar bazën ligjore për ndjekjen dhe dënimin e kriminelëve të luftës edhe në mungesë. Prandaj, sot nga ky vend, u bëj thirrje institucioneve të drejtësisë që të angazhohen me gjithë kapacitetet e tyre, që të ngrenë aktakuzat dhe gjykimet ndaj përgjegjësve për këto krime të rënda. Drejtësia nuk duhet të mungojë”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.
Në fund, ajo theksoi se nderimi më i madh për martirët dhe dëshmorët është puna e përditshme për drejtësi, zhvillim, siguri dhe prosperitet për qytetarët e Kosovës. /klankosova