Pse po përsëritet fjalori i ish-presidentit çek, Zeman?

Pse po përsëritet fjalori i ish-presidentit çek, Zeman?

Aktuale April 18, 2026 - 10:01

Në vitin 2017, kur në krye të diplomacisë së Kosovës ishte Behgjet Pacolli, e në Serbi Ivica Daçiq, Serbia filloi një fushatë për t’i bindur shtetet të tërheqin njohjen e Kosovës.

Sipas burimeve akademike, Serbia ka arritur të bindë rreth 15 vende të pezullojnë njohjen, me idenë se po zhvillohen negociata për statusin final të Kosovës. Në ndërkohë, shumë prej këtyre vendeve e kanë rikthyer njohjen falë intervenimit të vendeve mike, kryesisht ShBA-së.

Në vitin 2019, gjatë një vizite në Beograd, presidenti i Republikës Çeke, Milosh Zeman, pati deklaruar se “do të konsultoj qeverinë çeke nëse është e mundur të revidohet njohja e Kosovës”.

Gjatë periudhës kur ishte Zeman në pushtet, Kosova nuk ka pasur mundësi të përfaqësohet në nivel ambasadori, edhe pse ambasada ishte hapur që në ditët e para pas shpalljes së pavarësisë (2008).

Pas ndërhyrjeve të shteteve mike, kjo çështje u hesht, derisa ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, shkoi në vizitë në Pragë. Ashtu siç bëri presidenti Zeman gjatë vizitës së homologut të tij Vuçiq, ministri i Jashtëm çek, Petr Macinka, deklaroi se “Qeveria mund të kishte vepruar më me kujdes atëherë, por ne nuk duam t’i japim ndonjë dinamikë të re tani, nuk duam të bëjmë lëvizje teatrale dhe të papritura”. Interesante kjo deklaratë. Në kohën e presidentit Zeman ishte mu Ministria e Jashtme në Pragë.

Për të dalë një ministër i jashtëm me deklaratë të tillë publike, mendoj se shfryn mllef nga rezultati i komunikimeve me nota të ulëta diplomatike, jo adekuate, të pamjaftueshme, që mund të lexohen si komunikim frenetik.

Ngritja e nivelit të përfaqësimit do të duhej të jepte sinjale krejtësisht tjera: më pozitive, me ngritje të nivelit të bashkëpunimit, me marrëveshje të reja në nivel bilateral.

Është kjo deklaratë e ministrit të Jashtëm të Çekisë vetëm spin i momentit të takimit me homologun e Serbisë, Gjuriq, pasojë e rënies së nivelit të relacioneve ndërshtetërore, apo sinjal i ndryshimit të paradigmave në marrëdhëniet ndërkombëtare?

Apo tashmë në pozitat kyçe të shtetit është rikthyer fryma e Zemanit? /eo