Rudina Jasini largohet nga ekipi mbrojtës i Rexhep Selimit
Juristja shqiptare Rudina Jasini nuk do të jetë më pjesë e ekipit të Mbrojtjes së Rexhep Selimit në procesin gjyqësor ndaj tij, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Vendimi është marrë nga udhëheqësi i mbrojtjes së Selimit, Geoffrey Roberts më 27 mars.
“Më 27 mars 2026, mbrojtësi i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, i ka dërguar një letër udhëheqësit të zyrës së mbrojtjes duke deklaruar se ka vendosur t’ia ndërpres kontratën Jasini si bashkëmbrojtëse e Z. Selimi me efekt të menjëhershëm”, thuhet në njoftimin e Regjistrit, raporton klankosova.
Angazhimi i Jasinit në Dhomat e Specializuara, përfundoi zyrtarisht më 7 prill 2026.
Jasini, studiuese e specializuar e të drejtës penale ndërkombëtare dhe profesoreshë në Oksford, është avokatja e parë shqiptare në Tribunalin e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, në rastin Haradinaj.
Pas pesë vitesh angazhim në mbrojtjen e dhjetëshit të luftës së UÇK-së, Jasini ndau përshtypjet e saj mbi procesin e madh të Speciales duke e cilësuar teatër absurditeti dhe tentim për rishkrimin e historisë.
“Ky proces gjyqësor që u kthye në teatrin e absurditetit, ku një Prokurori është përpjekur të rishkruaj historinë e UÇK-së dhe luftën për pavarësi përmes akuzave të shtrembëruara. Por historia nuk mund të shkruhet as në atë sallë gjyqi dhe as në sallonet e Brukselit dhe Uashingtonit. Ajo është shkruar me sakrificën e qytetarëve të Kosovës, me gjakun e luftëtarëve të lirisë dhe me jetën e dëshmorëve”, shkruante Jasini një ditë para fjalëve përfundimtare të Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit.