Miratohet në lexim të parë Projektligji për Byronë Shtetërore për konfiskimin e pasurisë
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Pro këtij projektligji kanë votuar 81 deputetë, transmeton Zeri.info.
Në seancën e Kuvendit, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e vlerësoi si një projektligj me peshë të veçantë për shtetin tonë dhe sundimin e ligjit, për rrugën drejt BE-së dhe për besimin e qytetarëve në drejtësi.
Në fjalën e saj prezantuese, Ministrja Gërvalla u bëri thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që ta mbështesin këtë projektligj, pa dallim të përkatësisë politike.
“Sepse lufta kundër keqpërdorimit të parasë publike, pasurisë së pajustifikueshme, forcimi i llogaridhënies dhe mbrojtja e interesit publik nuk duhet të jenë çështje të ndarjes politike, por detyrim i përbashkët shtetëror. Ky është një moment për t’u rreshtuar në anën e shtetit ligjor, në anën e integritetit institucional dhe në anën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, u shpreh Ministrja Gërvalla.
Ajo theksoi se as Komisioni i Venedikut dhe as Gjykata Kushtetuese nuk e kanë kontestuar konceptin e konfiskimit civil si instrument juridik, ndërsa rekomandimet për më shumë qartësi, proporcionalitet dhe garanci procedurale, janë reflektuar në versionin aktual të projektligjit të paraqitur për shqyrtim. /Zëri