“Termokosi” përmbyll sezonin ngrohës
Ndërmarrja publike “Termokos” SHA ka njoftuar përmbylljen e sezonit ngrohës 2025/2026, pas 191 ditësh furnizimi të pandërprerë me ngrohje për mbi 25 mijë konsumatorë në kryeqytet.
Sipas njoftimit, vendimi është marrë në përputhje me Rregulloren e ZRRE-së për furnizim me energji, si dhe bazuar në parashikimet meteorologjike për ditët në vijim.
Sezoni aktual ngrohës vlerësohet si një nga më të gjatë dhe më të suksesshmit në historinë e ndërmarrjes, duke nisur për herë të parë 8 ditë para afatit të zakonshëm dhe duke u zhvilluar pa asnjë ndërprerje gjatë gjithë periudhës.
Gjatë këtij sezoni janë prodhuar 338.902 MWh energji termike, duke siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor për konsumatorët.
“Termokos” thekson gjithashtu se falë përmirësimeve në shërbime dhe aplikimit të faturimit sipas konsumit, mbi 60% e konsumatorëve kanë përfituar fatura më të ulëta. Po ashtu, është shënuar një ulje prej 70% e ankesave, krahasuar me sezonin e kaluar.
Ndërmarrja vlerëson se këto rezultate janë arritur falë menaxhimit efikas dhe angazhimit të stafit, duke reflektuar përkushtimin për përmirësimin e shërbimeve dhe zgjerimin e kapaciteteve të rrjetit të ngrohjes.
Në vijim, “Termokos” ka bërë të ditur se do të vazhdojë me Planin aksional veror dhe realizimin e projekteve kapitale në përgatitje për sezonin e ardhshëm ngrohës. /Zëri