Homazhe te memoriali “Heroinat” në Ditën e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale në Kosovë
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, njëherësh kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, bashkë më kryeministrin Albin Kurti dhe me kabinetin qeveritar bënë homazhe te memoriali “Heroinat”.

Sot shënohet Dita Memoriale e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Fundit në Kosovë.

Përmes shënimit të kësaj dite përkujtohen vuajtjet dhe traumat e atyre që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Kjo ditë synon të njohë padrejtësinë e përjetuar dhe traumën si pasojë e krimeve të tilla dhe njëkohësisht të rrisë ndërgjegjësimin për drejtësinë e vonuar dhe luftën kundër stigmës.
Në shënimin e Ditës Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale të Luftës –“Ma kthe dritën”, Kuvendi i Kosovës, në orën 17:00, mban seancë solemne.
Ndërkaq 14 prilli është caktuar Ditë e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ky vendim do t’i kontribuojë ruajtjes së memories kolektive, ndërsa ka përmendur nevojën e solidarizimit me të mbijetuarit e dhunës seksuale.



