Rama: Shqipëria në tryezën e BE-së, projekt më i madh se amaneti i Skënderbeut dhe i Ismail Qemalit
Në Samitin e IV të Diasporës, i zhvilluar këtë të martë, më 16 prill, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama vazhdoi të fliste për sfidat, sakrificat dhe rolin vendimtar të shqiptarëve jashtë vendit në ndërtimin e së ardhmes.
Në deklaratën e tij, Rama u ndal te vështirësitë e rrugëtimit, duke theksuar se çdo transformim i madh kërkon sakrifica dhe përballje me sfida.
“Do të ketë momente zhgënjimi, por suksesi nuk vjen…”
Ai paralajmëroi se do të ketë momente zhgënjimi dhe periudha kur progresi mund të duket i ngadaltë, por nënvizoi se suksesi nuk vjen në kushte rehatie dhe se kombet nuk ndërtohen në komoditet.
“Ju më mirë se askush e dini që kjo rrugë nuk është pa sfida, çfarë ju keni hequr në kurriz është një mësim i paharrueshëm, që vlen për të kuptuar atë që Shqipëria ka hequr dhe do të heqë në kurriz sepse asnjë transformim i madh dhe i vërtetë nuk mund të jetë pa i hequr të tëra në kurriz.
Do ketë pa diskutim zhgënjime, momente kur duket sikur asgjë nuk ia vlen, apo momente kur duket se progresi është i ngadalësuar dhe nuk po duken ndryshime, por asnjë moment suksesi nuk vjen në rehati dhe kombet nuk ndërtohen në momente rehatie”, tha Rama.
Sipas tij, ajo që Shqipëria mund të bëhet nuk është më një ëndërr e largët, por një realitet i afërt dhe i prekshëm.
“Paketa e Maleve”, Rama ftesë shqiptarëve të diasporës
Gjatë fjalës së tij, kryeministri përmendi edhe nismën e re të Paketës së Maleve, të cilën e cilësoi simbolike, e cila synon të rikthejë vëmendjen te zonat malore dhe të inkurajojë shqiptarët që kanë emigruar të investojnë në tokat dhe pronat e tyre.
Ai theksoi se malet, dikur zona të izoluara dhe të lëna pas, mund të kthehen sot në burim mirëqenieje për familjet shqiptare.
Rama mes të tjerash shtoi se diaspora ka jo vetëm shumë për të dhënë për Shqipërinë, por tashmë edhe shumë për të përfituar duke kontribuuar në zhvillimin e saj.
“E ardhmja e Shqipërisë nuk shkruhet vetëm në Tiranë, por edhe në Athinë, Romë, Londër, Zyrih dhe në çdo vend ku shqiptarët jetojnë, punojnë dhe ëndërrojnë”, u shpreh ai, duke ftuar shqiptarët e diasporës të investojnë në vend përmes Paketës së Maleve.
Kreu i Qeverisë vlerësoi gjithashtu rolin e shqiptarëve në Kosovë, në Malin e Zi dhe në Maqedoninë e Veriut.
Në përmbyllje, Rama falënderoi të pranishmit dhe personalitetet e ftuara, ndërsa bëri thirrje për një rilidhje jo vetëm emocionale, por edhe konkrete mes diasporës dhe Shqipërisë.
Projekti ynë, më i madh se amaneti më i madh se i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit
Ai e cilësoi këtë si një projekt kombëtar të përbashkët, duke theksuar se vendi po ecën drejt integrimit evropian dhe se ky proces kërkon angazhimin e të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit.
“Dhe në mbyllje dua të them që sot nuk dola këtu për të bërë thjesht një fjalim dhe një mesazh por për të bërë ftesën e përsëritur që të vazhdojmë të rilidhemi jo vetëm emocionalisht, por në mënyrë aktive.
Jo si një vend që diaspora e la pas, por si një vend që po bëhet shtet europian që po bëhet për të gjithë, si ata brenda dhe ata jashtë. Një ftesë për të gjithë për t’u bërë pjesë e një projekti kombëtar, më i madh se amaneti i të gjithë atyre që nga Gjergj Kastrioti dhe Ismail Qemalit dhe të gjithë heronjtë e martirët nga të gjitha anët ku jetojnë shqiptarë e projektojnë të ardhmen, një amanet që e kërkon Shqipërinë në tryezën e përbashkët të asaj familjeje ku më në fund po bëhemi gati të jemi pjesë e pandarë”, u shpreh kryeministri.
Në fund, Rama theksoi se kombi nuk përkufizohet vetëm nga qeveria, por nga trashëgimia, sakrificat dhe kontributi i të gjithë atyre që ndër breza kanë ndërtuar identitetin shqiptar. /tvklan.al