Shpërndahen në Discord të dhënat personale të gazetares Ardiana Thaçi-Mehmeti
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim të thellë pasi është njoftuar se të dhënat personale, përfshirë numrin e telefonit, të gazetares së Kiks Kosova, Ardiana Thaçi Mehmeti, janë shpërndarë ilegalisht në një grup në Discord që numëron rreth 70 mijë anëtarë.
Sipas AGK-së, gazetarja ka marrë dhjetëra mesazhe me përmbajtje eksplicite seksuale të enjten mbrëma nga anëtarët e këtij grupi, raporton Zeri.info.
Kjo ndodh vetëm disa muaj pasi gazetarja Thaçi-Mehmeti raportoi gjerësisht për një grup të ngjashëm në Telegram, të njohur si AlbKings, ku shpërndahen numra telefoni dhe të dhëna personale të grave me qëllim denigrimin e tyre.
AGK-ja dënon ashpër këtë ngacmim të rëndë online ndaj gazetares dhe e sheh atë si një fushatë hakmarrëse për shkak të punës dhe raportimit të saj.
Organizata ka shprehur solidaritet të plotë me gazetaren.
AGK-ja gjithashtu u bën thirrje Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit që urgjentisht të hetojnë administratorët e këtij grupi dhe të punojnë për mbylljen e menjëhershme të tij, duke kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë. /Zëri