Gërvalla në komunat arbëreshe të Sicilisë, mori pjesë në meshën e Pashkëve

Gërvalla në komunat arbëreshe të Sicilisë, mori pjesë në meshën e Pashkëve

Aktuale April 01, 2024 - 19:38

Ministrja Donika Gërvalla mori pjesë në meshën e Pashkëve në komunat arbëreshe, ku edhe po e zhvillon një vizitë disaditore, raporton teve1.info

Sipas komunikatës për medie, të dielën e Pashkëve Ministrja Gërvalla mori pjesë në Meshën e Shenjtë të Pashkëve dhe leximin e Ungjillit në gjuhë të ndryshme. Ceremonia e së Dielës së Pashkëve në Horën e Arbëreshëvet u kurorëzua me sfilatën e kostumeve të jashtëzakonshme arbëreshe.

“Në festën e Pashkëve, duke respektuar traditat e tyre shekullore dhe vlerësuar lart konsistencën në ruajtjen e identitetit, gjuhës, traditave dhe kulturës së arbëreshëve të Sicilisë, Zëvendëkryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla bashkë me Zëvëndësministren, Liza Gashi dhe Ambasadoren e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim ka vizituar komunat arbëreshe në rajonin e Sicilisë duke zhvilluar takime të ndara me kryetarin e Komunës së Horës e Arbëreshëvet, Rosario Petta, kryetarin e komunës Kuntisa, Leonardo Spera, atë të komunës Sëndashtina, Giuseppe Cangialos, kryetarin e komunës Munxifs z. Giuseppe Lopes si dhe atë të komunës Pallaci, Nicolò Granà.

Me kryetarët e komunave arbëreshe Ministrja Gërvalla bashkëbisedoi rreth nevojave dhe mundësive reale për bashkëpunim në projekte konkrete mes Republikës së Kosovës, përkatësisht komunave të Kosovës dhe komunave arbëreshe në Kalabri, në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore si dhe rritjes së bashkëpunimit në shkëmbime tregtare mes dy vendeve”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Ministrja Gërvalla gjatë vizitës në Sicili zhvilloi një takim me Kardinalin Francesco Montenegro, administrator Apostolik i Eparkisë së Siçilisë, me të cilin u bisedua ndër të tjera edhe për marrëdhëniet e Kosovës dhe shqiptarëve me Selinë e Shenjtë.

Gjatë qëndrimit në komunat arbëreshe të Kalabrisë, Ministrja Gërvalla vizitoi edhe monumente të trashëgimisë kulturore duke u shprehur konsideratën e lartë ndaj kontributit të gjeneratave të tëra të cilat kanë ruajtur dhe përcjellë me breza identitetin, gjuhën dhe traditën unike arbëreshe.