Sulmi terrorist në veri, Gjukonoviqi: Synohej ndarja e Kosovës
Foto: Laura Hasani

Sulmi terrorist në veri, Gjukonoviqi: Synohej ndarja e Kosovës

Aktuale October 18, 2023 - 13:03

Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, në intervistë për “Federalna TV” ka thënë se sulmi terrorist në Banjskë në veri të Kosovës më 24 shtator ishte i pritshëm.

Sipas tij, kjo ishte politikë e Rusisë dhe synimi ishte të krijohej një konflikt i ngrirë, me synim ndarjen e Kosovës.

“Pra, ideja e atij akti terrorist në Kosovë ishte të shkaktoheshin trazira, që të çonte te një konflikt i intensitetit të kufizuar dhe përfundimi i të cilit do të ishte përcaktimi i vijave demarkuese ndërmjet veriut të Kosovës dhe pjesët tjetër të Kosovës. Përcaktimi i një konflikti të ngrirë që do të zgjaste 5, 15 apo 35 vjet, ku publiku vendas dhe ndërkombëtar do të mësoheshin dalëngadalë që të bëhet kufiri i ndarjes së Kosovës. Kjo ishte ideja”, ka thënë Gjukanoviqi.

Gjukanoviqi ka theksuar se me konfliktin e ngrirë Serbia ka dashur ta ndajë Kosovën.

Ai ka thënë se politika e “bashkësisë ndërkombëtare ka krijuar atmosferën në të cilën lindi akti terrorist”.

“Lexoni politikën e partnerëve perëndimorë, lexoni edhe më saktë politikën e Departamentit të Shtetit, pra njerëzve të Departamentit të Shtetit për drejtimin e politikës ballkanike. Ajo politikë, politika e dorëzimit ndaj Serbisë, e bërjes së lëshimeve ndaj Serbisë në këmbim që Serbia të largohej nga Vladimir Putini, por që nuk ndodhi. Mendonin se do ta ndalonte Serbinë nga pengimi i njohjes ndërkombëtare të Kosovës, por nuk e bëri. Ajo që ndodhi është se Serbia i përdori ato lëshime dhe në vend që të bënte politikën e saj të brendshme, filloi të bëjë politikë të kujdesit për serbët në rajon. Kur bëni politikë për t’u kujdesur për një popull në rajon, kudo që ata jetojnë, atëherë shkatërroni sovranitetin e fqinjëve tuaj. Kur shkatërroni sovranitetin e fqinjëve tuaj, ju përkeqësoni stabilitetin e atij rajoni dhe drejtpërdrejt inkurajoni, atmosferë konflikti”, ka thënë Gjukanoviqi për “Federalna.TV”, transmeton rtklive.

Gjukanoviqi ka thënë se ajo që ka ndodhur në Kosovë është shprehja përfundimtare e një politike të gabuar ndërkombëtare.

Ai për situatën gjeopolitike thotë se është rezultat i kthesës së Rusisë në raport me Perëndimin.

Sipas tij, synimi i Rusisë ka qenë ta godasë Perëndimin dhe e ka bërë këtë në Evropë, ndërsa Ballkanin Perëndimor e ka parë si vendin më ideal.