GAP: Polisat kufitare nuk duhet të paguhen më nga shteti

GAP: Polisat kufitare nuk duhet të paguhen më nga shteti

Aktuale October 03, 2021 - 11:03

Instituti GAP ka publikuar raportin “Pagesa e polisave kufitare nga buxheti i shtetit”, duke rekomanduar ndërprerjen e kësaj praktike në të ardhmen.

Kjo, sipas Instituti GAP, për faktin se është një shpërndarje e padrejtë e taksave të qytetarëve, duke subvencionuar një kategori të popullsisë në gjendje të mirë financiare.

Insituti GAP ka propozuar që në vend të kësaj, Qeveria e Kosovës t’ua mundësojë mërgatës dhe qytetarëve të tjerë të huaj që hyjnë në Kosovë, që polisat kufiare t’i paguajnë online.

“Në vend të kësaj, në periudhë afatshkurtër, Qeveria e Kosovës, BQK dhe BKS duhet të ua mundësojnë pjesëtarëve të mërgatës dhe të huajve që hyjnë në Kosovë, që polisat kufitare t’i paguajnë në mënyrë elektronike (‘online’) me qëllim të shkurtimit të kohës për pritjet në kufi”, thuhet nga Instituti GAP.

Sipas tyre, në aspekt afatgjatë, institucionet duhet të sigurohen që numri i veturave të paregjistruara dhe në qarkullim të ulet nga 30% në 5%, dhe kësisoj, të largohet edhe pengesa praktike për aplikim për anëtarësim në “Kartonin e Gjelbër”.

Nga qershori i këtij viti, Qeveria ka marrë miratuar propozim-vendimin për mbulimin e plotë të obligimeve të Primit të sigurimit kufitar për të gjithë bashkatdhetarët dhe të huajt dhe që vijnë në Kosovë deri në fund të këtij viti.

Ky vendim ka hyrë në fuqi nga data 1 korrik. /Zëri