FDH Beograd për dënimin e “Çakallëve”: Shumë pak, shumë vonë – s’u përfshi në aktgjykim vrasja e 59 civilëve shqiptarë

FDH Beograd për dënimin e “Çakallëve”: Shumë pak, shumë vonë – s’u përfshi në aktgjykim vrasja e 59 civilëve shqiptarë

Aktuale April 26, 2024 - 14:10

Fondi për të Drejtën Humanitare me qendër në Beograd, ka vlerësuar se dënimi i shtatë ish-pjesëtarëve të grupit “Çakallët” për krime lufte në Kosovë është shumë i ulët dhe shumë i vonuar.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Jugosllave Toplica Miladinoviq u dënua para departamentit special të Gjykatës së Lartë në Beograd me 20 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile në vitin 1999 në rrethinën e Pejës në Kosovë.

Ai u dënua se si komandant i brigadës 177 kishte urdhëruar dëbimin e civilëve shqiptarë dhe se kishte ditur për vrasje e grabitje.

Aktakuza përshkruan me detaje pushtimin e fshatrave, vrasjet, grabitjet, djegien e shtëpive dhe dëbimin e civilëve në drejtim të Shqipërisë.

Përveç Miladinoviqit, Predrag Vukoviq u dënua me 13 vjet, Abdulah Sokiq me 12, Sinisha Mishiq me pesë, ndërsa Llazar Pavloviq, Slavisha Kastratoviq dhe Boban Bogiçeviq u dënuan me nga dy vjet.

Velko Koriçanin dhe Milan Ivanoviq u liruan nga akuzat.

Ndërkaq, FDH Beograd ka thënë “aktgjykimi i ka lënë jashtë pretendimet e aktakuzës për pjesëmarrjen e të pandehurve në vrasjen e 42 civilëve, shqiptarë të Kosovës, në fshatin Lubeniq, si dhe 17 civilëve në fshatin Zahaq, dhe asnjë nga të pandehurit nuk u shpall fajtor për këto krime”.

Rrjedhimisht, FDH Beograd thotë se “numri i viktimave të përfshira në aktgjykim është zvogëluar në mënyrë drastike në krahasim me aktakuzën”.

Fondi për të Drejtën Humanitare beson se shumicës së të pandehurve iu dhanë dënime “paarsyeshëm të ulëta, disa nën minimumin ligjor për veprën penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile, veçanërisht nëse merret parasysh numri i viktimave civile në këto krime, si dhe mënyrën se si u vranë”.

Kjo organizatë thotë se aktgjykimi i shkallës së parë i shpallur pas një gjykimi katërmbëdhjetëvjeçar, gjatë të cilit vdiqën tre të pandehur, dy u shpallën të paaftë, ndërsa i pandehuri Ranko Momiq është ende në arrati, “nuk solli drejtësi për viktimat e krimit dhe as dënim adekuat për autorët”.

FDH Beograd thotë se gjatë procedurës “ka mbetur i paqartë roli i pjesëtarëve të MPB-së në organizimin, ekzekutimin dhe fshehjen e krimit, ndonëse për rolin e tyre është folur edhe nga dëshmitarët, por edhe nga të pandehurit individualë”.

“Pavarësisht këtyre provave, Prokuroria nuk ka hetuar pretendimet për pjesëmarrjen e tyre në këto krime. Pjesëtarët e tjerë të Ushtrisë Jugosllave, të cilët në periudhën kritike ishin në pozita hierarkike më të larta se të akuzuarit, gjithashtu nuk u ndoqën penalisht. Në vitin 2014, Prokuroria filloi një hetim kundër Dragan Zhivanoviqit, komandantit të Brigadës 125 të Motorizuar të UJ-së, zona e përgjegjësisë së të cilit përfshinte fshatrat Lubeniq, Qyshk, Pavlan dhe Zahaq, dhe i cili ishte epror i Toplica Miladinoviqit. Megjithatë, ky hetim u pezullua në vitin 2017”, ka thënë FDH Beograd.

Rasti i Qyshkut, thotë kjo organizatë, është rasti i fundit në Gjykatën e Lartë në Beograd për krime kundër civilëve shqiptarë në Kosovë, dhe aktakuza e fundit për ato krime është ngritur në vitin 2013.

“Që nga fillimi i vitit 2013, Fondi për të Drejtën Humanitare ka ngritur 9 kallëzime penale për krimet e kryera në Pejë, Krushë të Madhe, Savina Vodë, Vuçitërn, Goden, Krelan, Landovicë, Poklek dhe Gjakovë. Megjithatë, deri më sot nuk është ngritur aktakuzë për asnjë nga krimet e lartpërmendura”, ka bërë të ditur Fondi për të Drejtën Humanitare me qendër në Beograd.

Verdikti

FDH thotë se Gjykata e shpalli fajtor të akuzuarin Topliq Miladinoviq për lëshimin e urdhrit ndaj të ndjerit Nebojsha Miniq, komandant i Togës së Ndërhyrjes 177 VTO Pejë, “për të kryer një sulm ndaj popullatës civile të nacionalitetit shqiptar dhe për të organizuar shpërnguljen e kësaj popullate, megjithëse ai e dinte se anëtarët e njësisë do të shkatërronin dhe plaçkisnin pronat e civilëve dhe do të vrisnin civilë, gjë që ata e bënë”.

Miladinoviq, thotë FDH, kishte njohuri të drejtpërdrejta për krimet dhe si komandant ishte i detyruar të “planifikonte, organizonte dhe urdhëronte, por edhe të koordinonte dhe kontrollonte ekzekutimin e urdhrave të tij dhe sjelljen e pjesëtarëve të njësitit të tij në terren”.

FDH thotë se anëtarët e VTO-së së 177-të të Pejës (Vukoviq, Sokiq, Mishiq, Kastratoviq, Pavloviq dhe Bogiçeviq), nën komandën e Nebojsha Miniqit, u dënuan për sulme të armatosura, grabitje dhe dëbim të popullatës civile në fshatrat Lubeniq, Qyshk, Pavlan dhe Zahaq, si dhe për vrasjen e gjithsej 57 civilëve me kombësi shqiptare.

“Dejan Bulatoviq, anëtar i VTO-së 177 të Pejës, i cili u shpall ligjërisht i paaftë në vitin 2016, dhe autorë të tjerë të panjohur u akuzuan se kishin qëlluar 42 dhe plagosën 11 civilë në fshatin Lubeniq”.

“Velko Koriçanin, i cili akuzohej nga Prokuroria se kishte ndihmuar një anëtar të VTO-së 177 të Pejës në vrasjen e 17 civilëve në fshatin Zahaq, u shpall i pafajshëm. Milan Ivanoviq, i cili akuzohej për pjesëmarrje në vrasjen e të paktën 42 personave dhe plagosjen e 11 civilëve shqiptarë në fshatin Lubeniq, u shpall i pafajshëm”. /Klankosova