Fëmijët, përfituesit kryesorë të marrëveshjes me Shqipërinë për Trafikun Lokal të Kufirit

Fëmijët, përfituesit kryesorë të marrëveshjes me Shqipërinë për Trafikun Lokal të Kufirit

Aktuale September 18, 2021 - 21:11

Qeveria e Shqipërisë sot ka miratuar marrëveshje me të cilën pritet të hapet pikë e re kufitare me Kosovën, kjo marrëveshje ishte miratuar kohë më parë nga Qeveria e Kosovës.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla e ka mirëpritur vendimin e qeverisë shqiptare, për të cilën ka thënë se e lehtësojnë jetën e banorëve të brezit kufitar Kosovë - Shqipëri

"Mirëpres me kënaqësi miratimin e dy marrëveshjeve nga Këshilli i Ministrave të Shqipërisë, marrëveshje të cilat më parë janë negociuar nga dy ministritë tona respektive, dhe të cilat tashmë janë të miratuara nga qeveria jonë".

"Marrëveshja për Trafikun Lokal të kufirit dhe marrëveshja për ri kategorizimin e pikës kufitare Krushevë – Shishtavec, lehtësojnë jetët e banorëve të brezit kufitar Kosovë – Shqipëri, të cilët tani me procedura të lehtësuara mund ta kalojnë kufirin në disa zona të përcaktuara përgjatë tërë brezit kufitar, e jo sikurse ishte deri më tani vetëm në pikat kufitare ndërshtetërore", ka shkruar Sveçla.

Ai ka dhënë edhe detaje të marrëveshjeve, transmeton Zeri.info.

"Tash e tutje fëmijet e atyre zonave do të kalojnë shumë lehtësisht kufirin për të shkuar në shkollë vetëm me një ID të lëshuar enkas për kalim lokal kufitar. Kjo marrëveshje do të ndikojë dhe në rritjen dhe lehtësimin e bashkëpunimit shoqëror dhe kulturor ndërmjet shqiptarëve në dy anët e kufirit".

"Rikategorizimi i pikës Krushevë( Dragash) dhe Shishtavec(Kukës) do ta zhvillojë pikën kufitare, nga Kategoria C në Kategorinë B, me çka do të funksionojë 24/7 me kapacitet të plotë. Kjo do të jetë pikë alternative e pikës kufitare të Vërmicës, do të ndihmojë zhvillimin e turizmit lokal malor, do të lehtësojë lëvizjen mes banorëve, si dhe do të ndihmojë në ekonominë lokale të Dragashit dhe Kukësit", ka shkruar ministri në Facebook.

Sveçla ka thënë se do të angazhohen që mes dy qeverive të vazhdohet bashkëpuinimi për marrëveshjë bashkëpunimi mes shqiptarëve.

"Do të promovojmë pa u ndalur bashkëpunimin e mirë ndërshtetëror mes dy qeverive dhe gjithë institucioneve, dhe do të vazhdojmë me marrëveshje të tjera me qëllim të forcimit dhe lehtësimit të bashkëpunimit mes shqiptarëve", ka shtuar ai. /Zëri