QKUK-ja e spitalet s’kanë CO2 për operacione, pacientët të shqetësuar

QKUK-ja e spitalet s’kanë CO2 për operacione, pacientët të shqetësuar

Aktuale December 26, 2019 - 08:02
Detajet
Image

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) dhe spitalet rajonale kanë mbetur pa furnizim me dyoksidin e karbonit (në operacione mbushet barku me gaz, në mënyrë që të shihet më mirë). Kjo mungesë pritet të vazhdojë edhe më tej, për shkak se operatorët ekonomikë nuk janë të interesuar për ta bërë furnizimin me këtë gaz, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: Alarmante: Arrin në afro 13 mijë numri i personave të prekur me grip

Institucionet publike shëndetësore në vend edhe më tej po ballafaqohen me mungesë të dyoksidit të karbonit, i cili përdoret për operacione të ndryshme në Kirurgji, në Gjinekologji e në reparte të tjera. QKUK-ja dhe spitalet rajonale në vend momentalisht kanë mbetur pa këtë gaz, i cili përdoret në operacione dhe vlerësohet si tejet i rëndësishëm. Duke u shprehur të shqetësuar pacientët i kanë thënë “Zërit” se mungesa e CO2-shit po u shkakton probleme në kohën kur kanë për të hyrë në operime, sidomos në Klinikën e Gjinekologjisë.

Gjatë këtij viti edhe nga spitalet rajonale i ishte thënë gazetës se në mungesë të këtij gazi atyre u është dashur t’i shtyjnë operacionet elektive. Nga këto spitale është thënë se probleme me furnizim kanë pasur disa herë gjatë këtij viti. E që dyoksidi i karbonit u ka munguar edhe me muaj, gjë që ua ka vështirësuar punën personelit shëndetësor.

SHSKUK: CO2-shi nuk është i mjaftueshëm, operatorët ekonomikë janë të painteresuar

Për mungesën e këtij gazi gazeta i është drejtuar edhe Shërbimit Spitalor Klinikë dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK). Zyra për informim në këtë institucion i ka thënë gazetës se sasia e gazit që përdoret në SHSKUK është e pamjaftueshme. Sipas saj, as operatorët ekonomikë nuk janë të interesuar që të ndërmarrin veprime në regjistrimin e këtij gazi medicinal. “Zyra për medie e SHSKUK-së ju njofton se CO2 është i klasifikuar si gaz medicinal që nga viti 2017. Jua bëjmë me dije se sasia, të cilën e përdor SHSKUK-ja, siç duket nuk është e mjaftueshme dhe atraktive për operatorët ekonomikë për t’i ndërmarrë procedurat e regjistrimit të këtij produkti në Agjencinë për Produkte Medicinale (AKKPM), prandaj nuk ka operatorë të interesuar”, ka thënë ajo.

SHSKUK-ja ka bërë të ditur se janë duke punuar për të gjetur një zgjidhje më afatgjate sa i përket furnizimit me CO2. “Deri më tani produkti është siguruar në formë të donacionit. SHSKUK-ja është duke punuar për gjetjen e zgjidhjes afatgjate për këtë problem që me avancimin e intervenimeve laparaskopike ku përdoret ky produkt është bërë edhe më i madh”, ka thënë ajo.