Berisha: PD-ja do të thërrasë protesta të tjera kombëtare, nesër u bëj thirrje demokratëve t’u bashkohen studentëve

Berisha: PD-ja do të thërrasë protesta të tjera kombëtare, nesër u bëj thirrje demokratëve t’u bashkohen studentëve

Aktuale October 24, 2026 - 23:01

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se PD-ja do të thërrasë protesta të tjera kombëtare, si në mbështetje të studentëve, ashtu edhe për kauzën e saj politike.

Në një konferencë për mediet pas protestës së sotme në Tiranë, Berisha u bëri thirrje demokratëve dhe mbështetësve të PD-së që nesër t’u bashkohen studentëve në protestën e tyre.

“Shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjithë demokratëve dhe demokrateve, demokratëve të Tiranës dhe të Shqipërisë, që nesër të bashkohen në orën e protestës me studentët në mbrojtje të kauzës së tyre, në mbështetje të tyre”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi se protesta e sotme ishte një protestë kombëtare e Partisë Demokratike, e thirrur në mbështetje të studentëve.

“Partia Demokratike pa diskutim që do të thërrasë protesta të tjera kombëtare, si në mbështetje të studentëve, ashtu dhe për kauzën direkte, e cila s’mund të jetë ndryshe nga ajo e studentëve”, u shpreh kreu i PD-së.

Berisha vlerësoi qëndrimin e studentëve, duke e cilësuar mbështetjen ndaj tyre si një detyrim për qytetarët shqiptarë.

“Për çdo shqiptar, aktet e burrërisë, të guximit, të trimërisë të studentëve janë një frymëzim, duhet të jenë një frymëzim. Por është dhe një detyrim madhor. Çdo prind, çdo gjysh, gjyshe, nënë, baba, çdo qytetar duhet të jetë në këmbë në mbështetje të tyre”, tha ai.

Berisha u shpreh se, studentët po protestojnë për të ardhmen e tyre në Shqipëri dhe për të kundërshtuar largimin e të rinjve nga vendi.

“Ata po luftojnë për idealin më atdhetar, po luftojnë që të qëndrojnë në vendin e tyre, të mos ikin siç kanë ikur 750 mijë të tjerë. Ata po luftojnë pra që ky vend të banohet nga shqiptarë, nga kombi shqiptar dhe Shqipëria të quhet Shqipëri. Nuk ka luftë, nuk ka betejë më atdhetare, më fisnike, më patriotike se kjo”, përfundoi Berisha./atsh