Alarmante: Arrin në afro 13 mijë numri i personave të prekur me grip
Foto: Laura Hasani

Alarmante: Arrin në afro 13 mijë numri i personave të prekur me grip

Aktuale December 26, 2019 - 07:57
Detajet
Image

Numri i të prekurve me grip në Kosovë është duke u rritur. Institucionet e shëndetësisë po apelojnë te qytetarët që t’i marrin masat e duhura për t’u mbrojtur nga gripi sezonal, duke përfshirë këtu edhe vaksinimin, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: Vushtrri: Për projektin e kyçjeve individuale në ujësjellës, 1.5 milion euro

Rreth 13 mijë qytetarë janë prekur me gripin sezonal për më pak se tre muaj. Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në vend kanë thënë për “Zërin” se nga 1 tetori i këtij viti deri më 15 dhjetor në këtë Institut janë raportuar 12 mijë e 331 raste të dyshimta me grip, si dhe mbi 2 mijë raste me infeksion respirator akut Po ashtu, sipas këtij Instituti, janë raportuar edhe raste me infeksione të rënda respiratore. “Nga 1 tetori 2019 deri më 15 dhjetor 2019 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 12 mijë e 331 raste të dyshimta në grip (ILI), 2,040 raste me ARI (Infeksion Respirator Akut) dhe 11 raste me SARI (Infeksion i Rëndë Respirator Akut). Gjatë javës së 50-të (09.12.2019 - 15.12.2019) janë raportuar 1 mijë e 427 raste ILI, 254 raste ARI dhe 2 raste SARI”, ka thënë zyra për informim në këtë Institut.

Ajo ka bërë të ditur se në laboratorin e Qendrës Kombëtare të Gripit - IKSHPK deri më 18 dhjetor janë testuar 53 mostra të dyshimta me influencë, prej të cilave dy mostra kanë rezultuar pozitive në influencë A, ndërsa të tjerat kanë qenë negative.

Edhe nga qendrat e mjekësisë familjare në vend është thënë për gazetën se kanë filluar të paraqiten raste të dyshuara me grip, por që gjendja është nën kontroll. Raste të tilla janë paraqitur së fundmi edhe në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Drejtoresha e kësaj Klinike, Drita Telaku, ka thënë për gazetën se edhe pse asnjë rast nuk është konfirmuar me grip ka pasur fëmijë, të cilët kanë shkuar për trajtim me simptoma të gripit.

Interesim i madh i qytetarëve për t’u vaksinuar

Gjatë muajit dhjetor Ministria e Shëndetësisë ka furnizuar institucionet publike shëndetësore në vend me 100 mijë vaksina për gripin sezonal. Vaksinat kundër gripit këtë vit janë katërshtamëshe dhe janë të dedikuara për të mbrojtur grupet më të ndjeshme të popullatës, si të moshuarit dhe të prekurit nga sëmundjet kronike.

Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në vend është thënë për gazetën se interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar ka qenë i madh. Sipas këtij Instituti, interesim më të madh kanë pasur personat mbi 65 vjeç dhe personat me sëmundje kronike. Nga IKSHPK-ja është thënë tutje se shpërndarja e vaksinave është bërë sipas planifikimeve në qendrat e shërbimeve të vaksinimit dhe se kryesisht janë vaksinuar personat me risk të lartë. “Për dallim nga viti i kaluar, ku janë siguruar 85000 doza të vaksinës së gripit trevalent këtë vit janë siguruar 100000 doza të vaksinës katërvalente për gripin sezonal. Të gjitha vaksinat janë shpërndarë sipas planifikimit në qendrat e shërbimeve të vaksinimit. Aplikimi i vaksinës është bërë sipas indikacioneve ku kryesisht janë vaksinuar personat me risk të lartë”, është thënë për gazetën.

IKSHPK-ja vazhdimisht ka bërë apel te qytetarët të vaksinohen dhe t’i marrin masat tjera për t’u mbrojtur nga gripi sezonal. Masat që ajo ka rekomanduar të merren janë: reduktimi i numrit të vizitave të familjarëve, pastrimi i duarve rregullisht me ujë dhe me sapun, të mbahet distancë nga njerëzit, të reduktohen vendet e mbyllura me shumë njerëz e të tjerë.

Kujtojmë se gjatë vitit të kaluar mbi 30 mijë persona në Kosovë ishin prekur me gripin sezonal, duke përfshirë këtu edhe shumë fëmijë.